Kryeministri britanik Rishi Sunak mblodhi dje ministrat e qeverisë, mjekët dhe menaxherët e shërbimeve shëndetësore për bisedime që synojnë të rregullojnë një krizë me të cilën po përballet sistemi shëndetësor, ku spitalet janë të tejmbushura, raporton AP.
Qeveria tha se “po bashkonte mendimet më të mira nga sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit për të ndihmuar në ndarjen e njohurive dhe zgjidhjeve praktike”.
Partia Laburiste e opozitës e konsideroi mbledhjen të kotë, ndërsa ekspertët paralajmëruan se nuk ka zgjidhje të shpejta për problemet në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të financuar nga shteti.
Sistemi shëndetësor i Britanisë përballet me presion të lartë, duke përfshirë rritjen e kërkesës për kujdes pas lehtësimit të kufizimeve pandemike, një rritje e gripit dhe viruseve të tjera të dimrit pas dy viteve të bllokimit dhe mungesa të stafit.
Mijëra shtretër spitalor janë të zënë. Kjo ka bërë që ambulancat të ngecin jashtë spitaleve me pacientë që nuk mund të pranohen, dhe nga ana tjetër tek njerëzit me urgjenca shëndetësore që presin me orë të tëra për të mbërritur ambulancat. Drejtuesit e shëndetësisë thonë se vonesat ka të ngjarë të kenë çuar në qindra vdekje.
Qeveria thotë se financimi i shëndetësisë vazhdon të rritet në terma realë. Drejtuesit e sindikatave të shëndetësisë do të takohen të hënën me qeverinë në një përpjekje për t’i dhënë fund grevave.
Britania nuk është i vetmi vend në Evropë që lufton për të siguruar kujdesin shëndetësor. Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të premten planet për të riparuar sistemin shëndetësor në vështirësi të Francës.