Qeveria në Maqedoni të Veriut po zhvillon përpjekje për të zgjeruar koalicionin, në tentativë për të bërë ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Në shqyrtim është afrimi i partisë Aleanca për Shqiptarët, gjë të cilën e ka konfirmuar vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski, sëfundmi edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Kryeministri Kovaçevski zhvilloi dhe një takim konsultues me partitë e koalicionit në Shkup lidhur me këtë. Përpara kësaj, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, autorizoi kryesinë për negociata me qeverinë, si dhe takoi kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa do të konsultohet edhe me udhëheqësit e dy partive të tjera shqiptare, Afrim Gashi të Alternativës dhe Bilall Kasami të Lëvizjes Besa.
Por kundërshtitë nuk mungojnë, me mediat në Shkup që dalin në konkluzionin se mund të shkohet edhe deri tek humbja e mazhorancës. Raportohet për një total prej rreth 14 deputetësh të partive të ndryshme, përfshirë Alternativës, “Grupit të Zjarrit” të BDI-së dhe të pakicave, të cilët nëse tërhiqen mund të zhysin Maqedoninë e Veriut në një krizë politike që me gjasë përfundon me zgjedhje të parakohëshme.
Alternativa e konsideron këtë një lëvizje për të shuar mosmarrëveshjet brenda BDI-së, pasi një riformatim i qeverisë do të shuante dhe pakënaqësitë e “Grupit të Zjarrit” për ministrat shqiptar. E gjithë kjo vjen teksa LSDM-ja në pushtet me koalicionin e saj me 64 deputetë nga 120 që janë gjithsej në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, po tenton të grumbullojë dy të tretat e votave për ndryshimet kushtetuese. Vendosja e pakicës bullgare në preambul duhet të bëhet deri në shtator të këtij viti, në të kundërt riaktivizohet vetoja bullgare që pengon nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.