Ndërkohë që situata në Donbas po behët gjithmonë e më kritike për Kievin, sipas pohimeve të vetë presidentit Volodymyr Zelenski, Kievit zyrtar i duhet të përballet me një skandal korrupsioni të proporcioneve të mëdha, ku përfshihen zyrtarë të njohur të vendit që prej 24 shkurtit ndodhet nën shënjestrën e forcave ruse.
Sipas burimeve, zërat se presidenti ukrainas është gati të shkarkojë ministrin e tij të Mbrojtjes, Oleksii Reznikov po shtohen dita ditës. Reznikov është përfshirë në një aferë që ka të bëj me furnizimin ushqimor të ushtarëve në front, një tender rreth 320 milionë dollarë ku ministria e Mbrojtjes dhe kreu i saj veçanërisht akuzohet se ka blerë racionet me një çmim shumë herë më të lartë.
Një episod korrupsioni pikërisht ndaj ushtarëve që po mbrojnë vendin nuk mund të kalojë pa pasoja, edhe pse Reznikov ka qenë një nga personazhet më të njohur gjatë luftës pothuajse njëvjeçare.
Mbi këtë çështje, Zelenski ka premtuar që një vendim zyrtar do të merret gjatë javës në vijim.
Më parë zëvendësministri i Infrastrukturës Vasyl Lozynskiy u shkarkua menjëherë pasi u zbulua teksa merrte 400 mijë dollarë ryshfet për një tender gjeneratorësh, një objekt shumë i kërkuar tashmë që sulmet ruse kanë dëmtuar centralet dhe mungesa e energjisë është pjesë e përditshmërisë.
Ndërkohë, trupat ruse avancojnë ngadalë në Bakhmut dhe po bëjnë përparime edhe në afërsi të Lyman, qytezë që ishte rimarrë nga forcat ukrainase në kundërofensivën e kësaj vere. Objektivi i radhës, sipas analistëve, është rrethimi i qytezës strategjike të Soverskut, që do t’i hapte rrugën trupave të Moskës për qytetet e fundit strategjike te Donbasit nën kontrollin e Kievit, Kramatorsk dhe Sloviansk.