Shaip Kamberi, deputet në Parlamentin e Serbisë, tha se gjatë vizitës në Washington, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ndërmjetësojnë mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo se a do të ndodhë një gjë e tillë, Kamberi tha se mbetet për t’u parë.
“Ajo që e ka thënë Escobar në Washington ku ishim si një delegacion, tha se Shtetet e Bashkuara do jenë ata që do ndërmjetësojnë mes Kosovës dhe Serbisë, tani do të presim se a do bëhet kjo realitet. Ata do të ndërmjetësojnë për të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi Kamberi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Njëherit, Kamberi vlerësoi se në Prishtinë tani ka mjaft lëvizje pozitive të cilat Qeveria Kurti po i bën në drejtim të Luginës së Preshevës.
“Po ashtu qeveritë tjera kanë pasur iniciativa të caktuara. Kanë pasur iniciativa, por asnjëherë nuk e kanë pasur një program të qartë se çka mund të bëjë Kosova me Luginën e Preshevës”, shtoi tutje Kamberi./teve1.info/.