Ka nisur me debat seanca e sotme maratonë për çështjen McGonigal, pasi opozita kërkoi ndarjen e kësaj seance nga seanca e pyetjeve, interpelanca dhe mocioni me debat.
Ishte deputeti demokrat Luçiano Boçi që kërkoi edhe zbatimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor. Në përgjigje të tij kryeparlamentarja Lindita Nikolla kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca e sotme ishte në përputhje me rregulloren.
“Pyetjet, interpelancat që lidhen me të njëjtën çështje shqyrtohen njëherësh. Jemi në respekt të rregullores. Çështja në seancë u votua për të kaluar sot. Dhe ne kemi filluar rendin e tij duke prezantuar 10 minuta interpelancën, 10 minuta debat dhe 10 minuta pyetje”, tha Nikolla.
Por kreu demokrat Sali Berisha e akuzoi se po shkel Kushtetutën, duke mos miratuar ngritjen e komisionit hetimor.
“Po lexoni një nen të rregullores dhe po shkelni një nen themelor të kushtetutës që detyron parlamentin që të ngrejë komisionet hetimore pasi firmosi 1-4 e deputetëve të parlamentit.
Deputetë kanë sjellë një kërkesë për komision hetimor për të ushtruar të drejtën kushtetuese për një nga aferat tronditëse, implikimin direkt të kreut tuaj në korruptimin e agjentit të FBI dhe përdorimin si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare.
Veprimtaria McGonigal ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë. Janë një seri çështjesh që duhet të marrin përgjigje nga komisioni parlamentar. Kurrë Shqipëria nuk mund të kapërcejë këtë problem të tmerrshëm.
Kemi të bëjmë një nga aktet më të shëmtuara dhe antikushtetuese në historinë enjë vendi ku përdoren të gjitha mjetet për shkatërrimin e opozitës dhe me një grupo mafioz që përdor pushtetin e FBI dhe qeverisë për të gjobitur biznesmenë në klubet e Tiranës Durrës dhe qytete të tjera të vendit”.