Një brazilian i konsideruar si vrasësi serial më i keq i vendit pasi kreu më shumë se 100 vrasje dhe u lirua pas 42 vitesh burg, u ekzekutua të dielën pranë Sao Paulos.
Persona të paidentifikuar kanë “sharruar” Pedro Rodríguez Filio para shtëpisë së motrës së tij, konfirmon policia që është në kërkim të autorëve.
Filio, i quajtur edhe “Pedrinho Matador” ishte 68 vjeç.
Ai ishte rritur në një mjedis të dhunshëm. Babai i tij e rrihte shpesh gruan dhe Pedro-n e vogël, i cili punonte në një thertore që kur ishte 9 vjeç. Ai më vonë tha se babai i tij e kishte shkelmuar gruan(nënën e tij) kur ajo ishte shtatzënë me të.
Vrasjen e tij të parë e kreu në moshën 14-vjeçare dhe që atëherë ka vrarë mbi 100 persona, përfshirë edhe babanë e tij në burg.
Ai u lirua në vitin 2018. Që atëherë kishte treguar historinë e jetës së tij në disa media dhe dokumentarë. Madje ai ka nisur një karrierë në YouTube, ku ka folur për jetën e tij, ka komentuar krime të ndryshme dhe ka paralajmëruar të rinjtë që të mos bëjnë vepra kriminale. Në platformën e shkurtër të videove Kwai ai ishte bërë yll, duke pasur më shumë se 267,000 abonentë.
Kriminologia dhe autorja e “Vrasësve serialë: Made in Brazil”, Ilana Casoi, tha se “Pedrinho” vrau njerëz që ai i konsideronte “të padëshirueshëm” në shoqëri – shumë prej tyre ishin anëtarë bandash ose të burgosur të tjerë. Ai tha gjithashtu se ishte befasuar nga “gëzimi, lehtësia e sjelljes dhe inteligjenca” e Filios, të cilin e kishte takuar personalisht.
“Në fund, ai i magjepsi njerëzit,” tha Casoi në një intervistë për gazetën Folha de S. Paulo.