NASA po gjurmon me kujdes një asteroid, i cili ka një “mundësi të vogël” të godasë Tokën saktësisht për Ditën e Shën Valentinit të pas 23 viteve.
Llogaritet që asteroidi, i quajtur “20-23 DW” mund të rrëzohet në planetin tonë në vitin 2046. Ai ka një diametër rreth 50 metra, sa një pishinë me përmasa olimpike.
Zyrtarët e Agjencisë Hapësinore Amerikane thonë se mundësia që ai të përplaset me Tokën është 1 në 600. Në shkallën e rrezikshmërisë së NASA-s, ngjarja “ka tej mase pak gjasa” që të ndodhë dhe nuk përbën shqetësim për publikun.
Gjithsesi, operatorët e agjencisë vijojnë ta monitorojnë çdo ditë trupin qiellor dhe në varësi të trajektores dhe informacioneve shtesë që do të marrin, shkalla e rrezikut mund të ulet edhe më tej.
Edhe pse nuk krahasohet me asteroidin katastrofik që zhduku dinozaurët 66 milionë vjet më parë, nëse do të binte në një zonë të populluar do të shkaktonte dëme të konsiderueshme.