Barcelona siguroi një fitore vërtet spektakolare në El Classico-n kundër Real Madrid, pasi një gol në minutat e fundit i Frank Kessie i dha tri pikët. Pak minuta para se blaugranat të shënonin golin e fitores, ishte Reali që festoi për disa minuta, kur goli i zëvendësuesit Asensio u anulua nga VAR.
Madrilenët e nisën shkëlqyeshëm takimin, pasi gjetën golin që në të 9’, kur në një depërtim të shpejtë në zonë, gjuajtja e Vinicius u devijua në portë nga Araujo.
Por katalanasit nuk e humbën qetësinë dhe pas disa përpjekjeve arritën të barazonin në limitet e pjesës së parë, falë Sergo Robertos, i cili goditi saktë nga brenda zonës, duke mos i lënë asnjë shans portierit Curtuois.
Në pjesën e dytë të dy skuadrat shtuan forcat në kërkim të golit. U duk se Ancelotti do të dilte fitimtar në këtë sfidë, pasi i sapofuturi në fushë, Marco Asensio, gjeti atë që madrilenët menduan se ishte goli i fitores, por pas disa minutash, ai u anulua për pozicion jashtë loje.
Dhe kur të gjithë po mendonin për dushin, një zbritje e shpejtë e vendasve, një tjetër zëvendësues, Kessie, goditi fort dhe saktë pas një kombinimi me Balde, dhe i dhuroi fitoren Barcelonës. Tashmë, katalanasit kryesojnë renditjen e La Liga me 68 pikë, 12 më shumë se Real Madrid.