Që kur Rusia vendosi të pushtonte Ukrainën më shumë se një vit më parë, skuadra e saj e futbollit dhe klubet ruse u përjashtuan nga Kupa e Botës dhe nga garat e tjera të organizuara nga FIFA dhe UEFA.
Në këtë “pushim” të gjatë, skuadra e drejtuar nga Valery Karpin do të mund të luajë kundër Iranit dhe Irakut, dy nga pak vendet e mbetura “aleate”. Dhe një tjetër mundësi është shfaqur në horizont: CAFA (Federata e Futbollit të Azisë Qendrore) ka vendosur të ftojë Rusinë në edicionin e parë të turneut të organizuar prej saj, i cili zhvillohet nga 9 deri më 21 qershor.
Taxhikistani, Irani, Uzbekistani, Kirgistani, Turkmenistani, Afganistani dhe Rusia do të jenë vendet pjesëmarrëse. Faridun Saliev, Sekretari i Shtypit i Federatës së Taxhikistanit, bëri të ditur se Rusia e ka pranuar ftesën, edhe pse kushtet e pjesëmarrjes janë ende duke u diskutuar. Nuk duket se do të ketë ndonjë problem sepse turneu duket se është prodhuar fiks që Rusia të mund të garojë pas një kohe të gjatë pa e bërë diçka të tillë.
Sponsori i madh i eventit është kompania Gazprom, kompania më e madhe në të gjithë Rusinë. Gazprom ishte edhe një nga klientët e mëdhenj të UEFA-s, derisa lufta me Ukrainën i dha fund asaj marrëdhënieje. Në Moskë fillimisht kishin planifikuar të largoheshin nga organi më i lartë evropian dhe t’i bashkoheshin Konfederatës Aziatike, por ky plan nuk u realizua.
Tani për tani, rusët do të garojnë në turne miqësore si CAFA, ndërsa kombëtarja ruse për femra nën 17 vjeç po luan këtë javë Kampionatin e Federatës së Futbollit të Azisë Jugore (SAFF).