Siguria e të dhënave të përdoruesve amerikanë në rrjetin social TikTok bëri që CEO i kompanisë të dëshmojë të enjten para Kongresit amerikan. Disa ligjvënës amerikanë kërkojnë që aplikacioni i videove të mos lejohet të përdoret në SHBA për shkak se të dhënat e përdoruesve kontrollohen nga Partia Komuniste e Kinës.
CEO i TikTok, Shou Zi Chew, u përball me akuza të shumta dhe pyetje të rëndësishme, disa prej të cilave nuk u dha përgjigje. Në një moment të dëshmisë, Chew pranoi se fëmijët e tij nuk e përdorin aplikacionin, i cili numëron më shumë se 1 miliard përdorues mujorë në të gjithë botën, sipas vetë Chew.
Sipas Chew, fëmijët e tij jetonin në Singapor dhe në atë shtet versioni i TikTok nuk lejon përdorimin për personat nën moshën 13 vjeç. Por ai u kujdes të sqaronte se, nëse fëmijët e tij do të jetonin në SHBA, do t’i linte ta përdornin aplikacionin, i cili nuk ka kufizim moshe.
Shqetësimi më i madh për ligjvënësit amerikanë është siguria e të dhënave të përdoruesve të TikTok në SHBA, që numërohet të jenë 150 milionë, sipas vetë deklarimeve të Chew. Ai tha se kompania ka në plan të ndërtojë një magazinë virtuale, përmes firmës amerikane Oracle, ku do të ruhen të gjitha të dhënat e përdoruesve amerikanë, në tokë amerikane.
Por duke qenë se projekti nuk ka përfunduar ende plotësisht, Chew konfirmoi se inxhinierët e ByteDance – kompanisë kineze që ka krijuar TikTok – kanë akses te këto të dhëna nga Kina. “Ne operojmë globalisht dhe inxhinierët kinezë kanë akses tek të dhënat”, tha ai.
Ky pohim ishte “fitorja” më e madhe për ligjvënësit amerikanë, të cilët argumentojnë se duke qenë se punonjësit e kompanisë në Kinë kanë akses tek të dhënat, kjo nuk pengon edhe qeverinë kineze të ketë akses në to. Të premten, Ministria e Jashtme e Kinës përsëriti pretendimet se nuk u kërkon kompanive që të dorëzojnë të dhënat e përdoruesve që ruhen në shtete të tjera.
Gjatë dëshmisë së tij, Chew u përpoq disa herë të distanconte TikTok nga ByteDance, por pasi u pyet disa herë, u detyrua të pranojë se edhe ai vetë ka aksione të kompania kineze dhe më parë ka qenë Shefi i Financave atje.
Si rrallë herë në vitet e fundit, ajo që u vu re në Kongres ishte një qëndrim i njëjtë i republikanëve dhe demokratëve në kritikat kundër TikTok. “Faleminderit zoti Chew që na bashkove”, tha kongresmeni republikan Dan Crenshaw gjatë seancës.
Siç raporton BBC, TikTok thuhet se ka shpenzuar miliona dollarë për lobim në Uashington. Por nëse veprimet e Kongresit amerikan vijojnë në këtë linjë, do të duhet të shpenzojë shumë më tepër.