Federata Ruse ka akuzuar Sllovakinë për shkelje të marrëveshjes duke dërguar aeroplanë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik në Ukrainë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1997, Sllovakia nuk lejohej të dërgonte aeroplanë në një vend tjetër pa pëlqimin e Rusisë, njoftoi Shërbimi Federal për Bashkëpunimin Ushtarak-Teknik në Moskë.
Autoritetet ruse thanë se ky ishte një akt armiqësor dhe se Bratislava shkeli detyrimet ndërkombëtare të rregulluara nga traktati, i cili u publikua në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Lidershipi sllovak, i cili po përballet me kritika edhe nga opozita për dërgimin e aeroplanëve, ende nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave të Moskës.
“Sllovakia ka dërguar katër aeroplanë në Ukrainë dhe do të dërgojë nëntë të tjerë gjatë javëve të ardhshme”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes për agjencinë gjermane dpa.
Tre nga gjithsej 13 aeroplanë nuk janë funksionalë dhe do të përdoren për pjesë këmbimi.
Shumica e MiG-ve u dërguan në Çekosllovaki nga Bashkimi Sovjetik në fund të viteve 1980. Pas rënies së shtetit, Republika Çeke dhe Sllovakia ndanë aeroplanët mes tyre, ku Sllovakia mori pjesë shtesë nga Rusia në vitet 1990.
Kremlini kohët e fundit ka hedhur poshtë rëndësinë e dërgesave të aeroplanëve sllovakë dhe polakë, duke thënë se ata kanë teknologji të vjetruar.