Thellohet skandali te Juventusi. Hetimet e Prokurorisë Federale kanë shpallur fajtor të gjithë drejtuesit dhe menaxherët e futbollistëve për manovrat e pagave që klubi torinez ka bërë në dy sezonet e pandemisë së Covid-19.
Sipas asaj që raportojnë mediat Italiane, hetimet 4 mujore kanë përfunduar dhe më 19 Prill do të merren edhe verdiktet finale. Ish-drejtori sportiv, Fabio Paratici është ai që tashmë ka mësuar sanksionin, 30 muaj pezullim nga aktiviteti.
Me një masë të ngjashme pritet të përballen edhe ish-presidenti, Andrea Agneli, zyrtari Pavel Nedved dhe të gjithë menaxherët e futbollistëve që ranë dakord me klubin për të devijuar nga rregullorja.
Shkelësit kanë si mundësi për të pastruar figurën ose për të shmangur sanksione të gjata që çështjen ta ankimojnë në Gjykatën Federale mes fundit të muajit prill dhe fillimit të majit. Duke iu referuar këtyre të dhënave, vetëm futbollistët kanë shpëtuar në këtë skandal që ka përfshirë klubin torinez.
Për shkak të fshehjes së të ardhurave, klubit iu ulën 15 pikë nga klasifikimi aktual, kuotë që mund të rritet dhe të shkojë në 40. Një sanksion që ndoshta mund të zbatohet edhe në sezonin e ardhshëm, në varësi të akordit që mund të arrihet mes klubit torinez dhe Federatës Italiane të Futbollit për të kompensuar dënimin.