Kiara Tito një nga personazhet më të përfolur të BBV rikthehet në puntatën e kësaj javë të “Piranjave”, në Syri Televizion.
Moderatorja bukuroshe, e cila me marrëdhënien e saj me Luizin u kthye në telenovelën e preferuar të shqiptarëve është bërë protagoniste e një tjetër shakaje, me ngjarje në seri.
Në lojë përveç miqve të saj është futur dhe Andi, aktori i “Piranjave” dhe të gjithë së bashku mundohen t’ia shndërrojnë në ferr, fundjavën e planifikuar në Durrës.
Sapo moderatorja relaksohet në shezllonet e plazhit, në lojë hyn Andi, një fans i çmendur i saj, i cili fillimisht i kërkon të bëjnë disa foto dhe më pas vjen dhe i sjell trëndafila. Por momenti epik është kur ai sjell disa shishe me ujë për idhullin e tij.
E habitur nga dashuria e madhe e fansit, Kiara niset për të shijuar drekën në restorant. Aty e pret Andi, por këtë herë ai s’po e përndjek, por po punon si kamarier.
Sikur të mos mjaftonte fansi i fiksuar pas saj, Titon e presin pjata “speciale”, të përgatitura sipas menusë së “Piranjave”.
Dozën e shakasë e shton edhe “mamaja” e Andit, e cila sapo sheh moderatoren simpatike, i thotë menjëherë të birit se këtë do nuse për shtëpi, jo atë që ka marrë.
Surpriza e fundit për Kiarën dhe miqtë e saj ishte fatura e kripur e ushqimit, me shumë kripë.