Disa policë në veri të Kosovës janë sulmuar në orët e para të mëngjesit, kur persona të paidentifikuar kanë hedhur një mjet shpërthyes drejt tyre.
Sipas policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 2:20 në Mitrovicën e Veriut, te Qendra e kontrollit teknik të automjeteve.
Rasti po hetohet “sulm ndaj personit zyrtar”.
Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara ditët e fundit për djegie të makinave me targa RKS në veri të vendit.
Të shtunën në mbrëmje, një person u vu në pranga, nën akuzën “pjesëmarrje apo organizim i grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin si “vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb” dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të ketë “reagim nga serbët”.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.
Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.