Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski mbreme deklaroi se nuk ka kontakte me presidentin bullgar Rumen Radev dhe se herën e fundit e ka parë vitin e kaluar në mini Samitin për energji në Sofje.
Pendarovski tha se në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin, duke theksuar se sipas tij nuk ka klimë të fqinjësisë së mirë.
Pë tango duhen dy vetë. Objektivisht, në dy vitet e fundit, Bullgaria ka pasur një sërë provokimesh ndaj nesh dhe ka dalë me argumente për bllokadën tonë ndaj BE-së, e cila nuk është parë kurrë në historinë e BE-së. Asnjë vend nuk ka bllokuar një vend tjetër duke thënë “Ju nuk jeni ai që mendoni se jeni”. Të flas për politikë identitare dhe të bërtasë se nuk jam maqedonas dhe se vetëm nëse i ndërroj të gjitha librat shkollorë do të mund të përparoj drejt Evropës… Mund të aktrojmë takime, por në dy vitet e fundit praktikisht nuk kam pasur asnjë bisedë konstruktive me Radevin”, deklaroi Pendarovski.
Lidhur me deklaratat e tij që shkaktuan reagime në Sofje, Pendarovski për “Sitel” tha se për të është më i rëndësishëm reagimi i qytetarëve në këtë vend sesa reagimi i Sofjes.
Hapja e klubeve bullgare në vend, sipas Pendarovskit, është një nga arsyet e mundshme për rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve me propozimin francez.