Përkundër sanksioneve ekonomike ndaj bizneseve nga Rusia, kryeministri malazez me mandat teknik, Dritan Abazoviq ka marr pjesë në hapjen e fabrikës ruse për prodhimin e vodkës në Nikshiq.
Lidhur me këtë veprim të Abazoviqit ka reaguar eksperti i sigurisë Agim Musliu, duke thënë se ai nuk e meriton identitetin shqiptar.
Musliu, nëpërmjet një shkrimi në Twitter, i ka kërkuar kryeministrit malazez që së paku ta ndryshojë emrin e tij, e ta merr një serb apo rus.
“Dritan Abazoviq ju lutem të paktën ta ndryshoni emrin tuaj! Ka shumë emra rus apo serb. Ju nuk e meritoni identitetin shqiptar. Pas këtij veprimi, ju mund të vazhdoni me misionin rus!”, thuhet në reagimin e Musliut.
Hapja e fabrikës ruse në Mal të Zi, në kohën kur Rusia është nën sanksione për shkak të agresionit kundër Ukrainës, nuk është e kontestueshme për Abazoviqin.
Prodhuesi rus i alkoolit “Beluga Group” bleu një pjesë të kompanisë “Neksan” në Nikshiq, të biznesmenit kontrovers Miodrag “Daka” Davidoviq, në gusht të vitit të kaluar, kur ishte paralajmëruar një investim prej 50 milionë eurosh.
Davidoviq është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Ai është ish-shef i policisë së Nikshiqit dhe bashkëpunëtor i të burgosurit të Hagës, Radovan Karaxhiq gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Në hapjen e fabrikës mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Vlladimir Jokoviq e zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë nga Nikshiqi.