Mes mjeteve të luftës dhe i shoqëruar nga një person “non grata” nga Perëndimi, Aleksandër Vuçiç fut hundët në punët e brendshme të Kosovës. Presidenti i Serbisë lëshoi një thirrje për qytetarët në veri të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet e pjesshme lokale, në kundërshtim me çdo angazhim të pranuar për normalizimin e marrëdhënieve.
Kushti i vendosur për rikthimin e Listës Serbe në proceset demokratike dhe institucionet e Kosovës është ai për formimin e Asociacionit.
“Ne jemi në një situatë të vështirë, por vullneti i popullit tonë ishte i tillë që ata pothuajse unanimisht morën vendim që të mos marrin pjesë. Kështu vendosën njerëzit tanë në veri. A duhet të mbahen zgjedhjet në stacione dhe kontejnerë policie, me 550 veta të armatosur deri në dhëmbë që duhet të sigurojnë 1 deri në 2% që do të dalin në votime? U bëj thirrje serbëve që t’i zhgënjejnë edhe më shumë ata në Prishtinë, ta shohin sa të bashkuar jemi”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb u shpreh i zhgënjyer me deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, kundër Listës Serbe, duke pretenduar se kryeministri Albin Kurti po tenton të pushtojë katër komunat në veri të Kosovës ku votohet të dielën: “Merrni pjesë në zgjedhje. E kam fjalën për atë zëdhënësin e BE-së dhe e pyes, a nuk ju vjen pak turp?”
Vuçiç shtoi se Brukseli i ka dhënë Kosovës liberalizimin e vizave, pranimin në Këshillin e Europës dhe tani së fundmi, njohjen e zgjedhjeve. Ndërkohë, Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se do të njohin rezultatin e dalë nga zgjedhjet lokale të së dielës në veri të Kosovës.