Disa azilkërkues dhe grupe refugjatësh, filluan një sfidë gjyqësore të hënën ndaj një plani të qeverisë britanike, për të dëbuar nga vendi qindra emigrantë, duke i dërguar ata drejt Ruandës.
Avokati i paditësve, Raza Husain, argumentoi në Gjykatën e Apelit në Londër se kjo politikë ishte e paligjshme, pasi Ruanda ishte “një shtet autoritar njëpartiak” që “burgos, torturon dhe vret” kundërshtarët.
Qeveritë e Britanisë dhe Ruandës nënshkruan një marrëveshje një vit më parë, sipas së cilës, disa emigrantë që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla, do të dërgoheshin në Ruandë, nga ku do të shqyrtoheshin kërkesat e tyre për azil.
Qeveria Konservatore e Britanisë thotë se plani do të shkatërrojë modelin e biznesit të bandave të kontrabandës së njerëzve, si dhe do t’i pengojë emigrantët që të bëjnë udhëtime të rrezikshme përgjatë kanalit anglez. Më shumë se 45,000 persona mbërritën në Britani me anije përgjatë vitit 2022.
Grupet e të drejtave të njeriut argumentojnë se është çnjerëzore dhe e paligjshme të dërgosh njerëz më shumë se 6,400 kilometra, në një vend ku ata nuk duan të jetojnë.
Askush nuk është dërguar ende në Ruandë sipas marrëveshjes. Në dhjetor, Gjykata e Lartë e Britanisë vendosi se politika e Ruandës ishte e ligjshme, por një grupi azilkërkuesish nga disa vende, duke përfshirë Iranin, Irakun dhe Sirinë, i’u dha e drejta për të apeluar.
Në fillim të seancës katërditore të apelit, Husain tha se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kishin “dështuar të shqyrtonin” garancitë e qeverisë britanike, se njerëzit që do dërgoheshin në Ruandë nuk do të keqtrajtoheshin.
David Pannick, që përfaqëson qeverinë, tha në parashtresat me shkrim se kishte “një numër arsyesh të qarta dhe bindëse pse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e bindur se autoritetet e Ruandës do të zbatojnë garancitë”.
Qeveria britanike ka hartuar një legjislacion që ndalon këdo që arrin në Britani me varka të vogla ose me mjete të tjera të paautorizuara, që të aplikojë për azil. Nëse plani miratohet, Projektligji i Migracionit të Paligjshëm, i cili shkon në Parlament këtë javë, do ta detyrojë qeverinë që të ndalojë të gjithë të ardhurit dhe t’i deportojë ata në atdheun e tyre ose në një “vend të tretë të sigurt”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se ligji shkel angazhimet e Mbretërisë së Bashkuar, bazuar në konventën ndërkombëtare për refugjatët.