Sulmuesi argjentinas, Paulo Dibala ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Dazn” teksa ka folur për eksperiencën tek Roma, për marrëdhënien me trajnerin Zhoze Murinjo si dhe për pasionin e tij për shahun. Ndër të tjera, Dibala ka zbuluar emocionet e penalltisë në finalen e Kupës së Botës ndaj Francës si dhe për urrejtjen që ka pasur si fëmijë për Kristiano Ronaldon.
PRITJA NË ROMË
“Njerëzit këtu janë shumë të ngrohtë dhe të jashtëzakonshëm. Që nga dita e parë më bënë të ndjej këtë ngrohtësi. Të dëgjosh himnin e tifozëve të Romës para ndeshjes është diçka unike. Të përjetosh diçka të tillë është si të qëndrosh para një opere arti”.
MASKA DIBALA
“Historia e maskës së Dibalës filloi pak këtu në Koloseum. Si fëmijë, kam parë shumë filma për Romën, qytetin, gladiatorët. Duhet ta kem parë filmin “The Gladiator” rreth 20 herë. Pas një momenti të vështirë në karrierën time nga i cili duhej të dilja në një farë mënyre, menjëherë mendova për këtë festë. Njerëzit e pëlqyen menjëherë dhe kështu vazhdoj ta bëj”.
ZGJEDHJA E ROMËS
“Kur Tiago na kontaktoi dhe lindi kjo mundësi, më erdhën në mendje këto gjëra (filmat për Romën, maska e Gladiatorit, etj) dhe nuk mund të mos e mendoja. Thashë me vete ‘duhet të bëj diçka në këtë qytet’”.
LOJA E SHAHUT
“Shahu më ndihmon shumë për mendjen dhe përqendrimin tim. Fillova të luaja që fëmijë, fillimisht e shikoja shumë babin, pastaj ngadalë fillova të luaja me të. Me kalimin e kohës lojërat u bënë më të vështira për të, derisa një ditë ia dola të fitoj”.
MARRËDHËNIA ME CR7-ËN
“Ne kemi një marrëdhënie të mirë, por në një moment i kam thënë “praktikisht të urreja kur isha fëmijë”.
FENOMENI MURINJO
“Murinjo m’u afrua në ndeshjen Roma-Juventus 3-4 dhe më tha ‘A je fenomen’? Është e vërtetë, kjo është gjëja e parë që më kujtoi kur më thirri. Unë kurrë nuk kam pasur një trajner nga një ekip tjetër ta bëjë këtë gjatë një loje, ai është unik.
BLUZA ME NUMRIN 10
“Numri 10 i Romës do të jetë gjithmonë Françsko Toti. Ashtu si Del Piero do të jetë gjithmonë numri 10 në Juventus. Në Juve, klubi më kërkoi direkt të vishja numrin 10 dhe ishte një kënaqësi e madhe. A do të ndodhë edhe te Roma? Kurrë mos thuaj kurrë … Natyrisht që do të ishte një përgjegjësi unike. Roli im në tabelën e shahut verdhekuq? Mbreti është Murinjo ndërsa Mbretëresha është i gjithë ekipi.
PENALLTIA KUNDËR FRANCËS
“Jam i sinqertë, në atë moment isha shumë gjakftohtë. Meqenëse penalltia ishte humbur nga lojtari i Francës para meje, unë tashmë e dija se ku do të gjuaja dhe shkova 100% i sigurt. Dhe topi hyri”.
PANORAMASPORT.AL