Pamfleti.net
Gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në takimin që do të zhvillojnë udhëheqësit e tyre më 2 maj në Bruksel, janë minimale ose fare, vlerësojnë Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, dhe Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar tashmë se më 2 maj, në fokus të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të jetë edhe çështja e Asociacionit, përkatësisht prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës se cilat janë gjasat që Prishtina zyrtare ta pranojë këtë dokument, por nuk mori përgjigje. Ngjashëm nuk u përgjigj as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kurti ka thënë të martën për mediat se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga serbë, dhe përmbajtja e statutit nuk janë “edhe aq të njohura”.
Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues.
“Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Ekipi Menaxhues, më 2 maj, do ta prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë dakorudar me një marrëveshje të arritur në Bruksel në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Çfarë dihet për Ekipin Menaxhues?
Pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe dy vjet më vonë kanë rënë dakord për parimet e formimit të tij, Ministria e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së Kosovës ka emëruar Ekipin Menaxhues në vitin 2016.
Në atë kohë, në krye të kësaj ministrie ishte Lubomir Mariç nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Sot, ai është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe.
Mariç, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviç, Vinko Radosavleviç dhe Svetisllav Durlleviç.
Kallamar dhe Radojkoviç janë nga Mitrovica e Veriut, ndërsa Radosavleviç dhe Durlleviç janë nga komunat në jug të Lumit Ibër. REL-i ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse anëtarët e Ekipit Menaxhues kanë ndryshuar, por nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, nuk dihet nëse Ekipi Menaxhues ka hartuar statut të ri.
Rashiti: Do të ketë proces negocimi për statusin e Asociacionit
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, thotë se takimi i 2 majit në Bruksel do të shënojë fillimin e zbatimit të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për zbatimin e së cilës palët janë pajtuar më 18 mars në Ohër.
Prezantimi i draft-statutit të Asociacionit të hartuar nga Ekipi Menaxhues, sipas tij, do të duhej të shënonte fundin e punës së këtij trupi.
Rashiti thotë se pala e Kosovës nuk do të pajtohet me draft-statutin dhe se oferta e Kurtit që ta hartojë ai vetë atë, nuk do të jetë e pranueshme as nga Serbia, as nga Bashkimi Evropian.
Ai thotë se, në kontekst të këtyre mospajtimeve, palët do të nisin procesin e gjatë dhe të komplikuar të negociatave, lidhur me atë se si do të duket dhe finalizohet statuti për Asociacionin.
“Besoj që do të jetë një proces negocimi intensiv, se si do të duket ky Asociacion apo vetëmenaxhim, varësisht formës që do të marrë në fund. Por, do të jetë në mes të zeros dhe dhjetës, çfarë Kosova ofron, si dhe 100-shit, çfarë Serbia kërkon. Do të ketë proces negocimi për këtë dhe do të jetë me shumë parametra”, thotë Rashiti.
Sipas tij, arritja te një draft përfundimtar për statutin e Asociacionit do të jetë proces i vështirë, për faktin se për Qeverinë e Kosovës do të jetë e vështirë të vendosë përtej kornizës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kjo gjykatë ka konstatuar në vitin 2015 se Marrëveshja mbi parimet për formimin e Asociacionit – e arritur po atë vit midis Kosovës dhe Serbisë – nuk është në harmoni të plotë më Kushtetutën e Kosovës, por se pikat kontestuese mund të harmonizohen.
Rashiti kujton se Marrëveshja që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksi për zbatimin e saj nuk janë formalizuar me nënshkrimin e palëve. Formalizimi, sipas tij, do të krijonte legjitimet ligjor për ndonjë kompromis apo dizajn të ri për Asociacionin.
“Do të vijmë në një situatë, gjatë verës dhe më tutje, kur do të na kërkohet formalizimi i Marrëveshjes ose do të vazhdohet me formatin që BE-ja apo faktori ndërkombëtar po pretendon… se do të bëjë sekuencim të zbatimit të marrëveshjeve”, thotë Rashiti.
Janjiç: Sërish ngecje në dialog
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se shtetet perëndimore, të cilat mbështetën Marrëveshjen e Ohrit “e shpallën suksesin para kohës”.
“Është e vërtetë që dokumenti [statuti] është shkruar, por, siç do të thoshte populli, mund ta varni në bishtin e maces. Ky është parashikimi im për atë që do të ndodhë më 2 maj”, thotë Janjiç për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat u mbajtën më 23 prill, nuk është dashur të mbahen, përpara se të dyja palët të merreshin vesh për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto zgjedhje u bojkotuan nga komuniteti serb, pas thirrjes së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe tha se e mori këtë vendim, pasi nuk janë plotësuar dy kushtet e saj: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu e vendit.
Janjiq beson se si pasojë e “bisedimeve të dështuara” për statutin e Asociacionit, do të ketë ngecje të reja në dialogun Kosovë-Serbi.
“Të paktën ngecje për disa muaj, me përtëritje të tensioneve“, thotë ai.
BE-ja kërkon urgjentisht Asociacionin
Radio Evropa e Lirë iu drejtua BE-së me pyetjet se çfarë pret nga takimi i 2 majit, gjegjësisht nëse të dyja palët do të bien dakord për statutin e formimit të Asociacionit, si dhe cilët janë hapat e ardhshëm nëse do të arrihej marrëveshje.
Në vend të përgjigjeve, BE-ja kërkoi nga REL-i t’i referohet deklaratës së zëdhënësit të saj, Peter Stano, të datës 25 prill.
“Bashkimi Evropian, gjatë tërë kohës, ka qenë i qartë kur bëhej fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtë e kemi përsëritur në reagimin ndaj zgjedhjeve lokale në komunat në veri të Kosovës – nevojitet urgjentisht formimi i Asociacionit”, tha Stano.
Ai kujtoi se Asociacioni është obligim i Kosovës, i pranuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, dhe se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.
“Priten sjellje gjithnjë e më agresive të Serbisë”
Vuçiç ka thënë më 24 prill se pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës nuk do të kthehen në institucionet e këtij vendi, nëse statuti i Asociacionit nuk do të jetë në përputhje me 22 parimet e Marrëveshjes së Brukselit, të vitit 2015.
Këta serbë i braktisën institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Rashiti thotë se, përderisa palët do t’i qasen dialogut me qëndrime të ndryshme, Serbia do të manifestojë sjellje “gjithnjë e më agresive”.
“Në të gjitha aspektet, duke mos pranuar ta negociojë draft-statutin e Asociacionit, duke penguar kthimin e serbëve në institucione, duke mos respektuar asnjë nga obligimet e saj, duke vazhduar [ndikimin] në çështjet e sigurisë në veri, diskursi që po përdor dhe të gjitha me radhë. Por, jam i bindur se Kosova, me disa hapa, mund ta bëjë faktorin ndërkombëtar përgjegjës absolut në lidhje me sjelljet e Serbisë në raport me Kosovën dhe marrëveshjen”, thotë Rashiti.
Këta hapa, sipas tij, janë: puna intensive lidhur me formimin e Asociacionit, puna me serbët e Kosovës dhe krijimi i mekanizmave për kthimin e tyre në institucione, përgatitja e situatës për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër, koordinimi me faktorin ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes, si dhe premtimi se në fund të procesit do të ketë zgjedhje të reja lokale në veri dhe formim zyrtar të Asociacionit.