Buckingham Palace publikoi mbrëmjen e së shtunës fotot nga kurorëzimi i Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla.
Fotot zyrtare tregojnë momentet e veçanta të çiftit, të cilët shihen në çdo shkrepje me veshjet mbretërore.
Në një ceremoni solemne të mbushur me muzikë dhe simbolizëm, Charles III u kurorëzua mbret në Abacinë e Ëestminster-it. Kurora 360-vjeçare e Shën Eduardit – një simbol i artë i monarkisë – është vendosur në kokën e Charles III, për vetëm pak minuta, nën thirrjet “Zot, ruaje Mbretin”.
Ky ishte momenti më historik i një ceremonie që daton 1 mijë vjet më parë dhe që nisi me procesionin nga Buckingham Palace drejt Abacisë së Westminster-it. Charles III dhe bashkëshortja Camilla udhëtuan e karrocën e krijuar në 2014-n për Jubileun e Diamantë të nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeta, mes ovacioneve të qindra mijëra qytetarëve që kishin dalë në rrugë, në Londrën e blinduar nga policia.
Shërbesa e drejtuar nga Arqipeshkvi i Canterbury-t, në prani të rreth 2200 të ftuarve, mes të cilëve krerë shtetesh dhe pjesëtarë të familjeve mbretërore në botë, nisi me prezantimin e mbretit dhe betimin se do t’i shërbejë me besnikëri Mbretërisë së Bashkaur dhe Kishës së Anglisë.
Momenti më i shenjtë i ceremonisë, ai i vajosjes së mbretit të ri, u mbajt larg syve të publikut, ndërsa një pëlhurë e qëndisur me delikatesë e izoloi Charles-in nga audienca. Ky moment nuk u transmetua as gjatë kurorëzimit të Elizabetës.
Më pas atij iu dorëzuan simbolet e monarkisë, rruzulli, skeptrat, unaza dhe shpata e iu vesh gjithashtu manteli i kuq i gjyshit të tij para se të kurorëzohej. Pas tij u kurorëzua edhe bashkëshortja Camilla, në një ceremoni të ngjashme por më të reduktuar.
Trashëgimtari i parë i fronit, Princi Ëilliam u gjunjëzua para të atit, duke u zotuar për besnikërinë e tij.
Më pas çifti mbretëror u largua nga abacia me karrocën e artë shtetërore, e ndërtuar në 1760-n, në një procesion të dytë dhe më madhështor drejt “Buckingham Palace”, ku u përfshinë rreth 4 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura.