Për Diona Krasniqin nga Gjakova, 2008-ta ishte një vit që solli një lajm të mirë e bashkë me të edhe shumë risi për familjen e saj, pasi që 15 vite më parë familja Krasniqi u bë fituese e Green Card-ës e cila u hap rrugë njerëzve që synojnë të punojnë dhe jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Për Dionën kujtimet e asaj dite mbesin paksa të turbullta për shkak se si 7 vjeçare ajo ende nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte.
“Unë isha ende në moshë të re, s’e kuptoja, por i shikoja prindërit me gëzim dhe ata ma shpjegonin se çfarë ka ndodhur. Për prindërit ishte e pabesueshme ngaqë kishin aplikuar edhe dy herë të tjera më herët dhe kishin marrë përgjigje negative”, kujton ajo.
Tash e 14 vite familja e saj jetojnë në Michigan ku Diona punon dhe kryen studimet.
“Unë punoj si infermiere teksa po mbaroj dhe jam afër posedimit të diplomës Bachelor në degën e Kriminalistikës me nën-degën Shkenca Politike nga Eastern Michigan University, dhe familja pas ca vitesh pune arriti të hapte biznisin tonë, kompani restaurimi…”.
Diona Krasniqi dhe familja e saj
Mirëpo, lënia pas e më të dashurve në Kosovë, nisja e një jete të re dhe ambientimi me një larmi kulturash kishin bërë që fillimi të mos ishte edhe aq i lehtë për këtë familje.
“Si për mua ashtu dhe për familjen ishte e vështirë pasi nuk kishim shumë të njohur, ishte një vend krejt tjetër me çfarë ishim mësuar të jetojmë, njerëz të ndryshëm, kultura të ndryshme. Shoqëria dhe familjarët na mbetën larg por pas një kohe kjo ishte jeta jonë e re dhe u desh të ambientohemi”.
Pavarësisht sfidave dhe dinamikës që kishte sjella jeta e re në SHBA, prindërit e Dionës ishin përkujdesur që traditat shqiptare t’i ruajnë dhe t’i bartin te fëmijët e tyre.
“Merita i takon prindërve tanë, ata ishin shkaku që edhe sot ne ruajmë kulturën e njëjtë në shtëpinë dhe familjen tonë. Sado vend i madh që është Amerika dhe me kultura të ndryshme, ne me atë kulturë që u rritëm në Kosovë vazhduam edhe këtu”, shpjegon Diona.
Megjithatë, ajo pohon se asokohe në mesin e vështirësive ishte edhe nevoja për t’iu përshtatur ambientit por që këtë gjë e bënte të vështirë mos njohja e gjuhës angleze.
“Normal në shkollë, në punë, apo në publik, ishte nevoja të bëjmë disa manovra që t’i adaptohemi ambientit, pas ca kohësh ia dolëm edhe pse ishte pak e vështirë ngaqë nuk e dinim gjuhën angleze shumë”.
Pavarësisht kësaj, Krasniqi shprehet e kënaqur me jetën në SHBA duke thënë se mundi i secilit vlerësohet në fund.
“Nuk mund të kemi sukses apo arritje pa kaluar sfida dhe vështirësi në jetë”, thotë ajo.
“Për familjen time mendoj që vështirësia më e madhe ishte transformimi nga një vend i vogël si Kosova dhe nga shtëpia jonë, tek një vend i madh, i huaj, dhe plot sfida si Amerika. Por, me ndihmën e Zotit, dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit ia dolëm ta kalonim duke nisur nga kjo vështirësi tek ndonjë tjetër që kishim”, përfundon Diona.
Ndryshe prej Dionës, për Loreta Avdiun nga Prishtina e cila ka mbi 6 vite në Amerikë, jeta e re që i kishte sjellë SHBA-ja kishte pasur sfida të tjera pasi që duke qenë larg prindërve, asaj i kishte rënë të bartë mbi supe përgjegjësitë që sjell të jetuarit vetëm.
“Vështirësia më e madhe ka qenë përballimi i stresit të cilin e kam përjetuar në vitet e para. Isha për herë të parë përgjegjëse për çdo gjë, përfshirë përgatitjen e ushqimit për vete dhe pagesat e shumta shtëpiake. Njëkohësisht punoja me orar të plotë dhe vijoja studimet”, rrëfen Avdiu.
Loreta Avdiu
Edhe distancat e largëta mes shtëpisë, punës dhe universitetit në një vend me mbi 8 milionë banorë si New York-u nuk kishin qenë edhe aq të lehta për Loretën, e cila tregon se ditën e parë, me të zbritur në këtë vend ajo kishte udhëtuar përmes metrosë së qytetit.
Loreta mban mend njerëzit në metro që dukeshin të lodhur, disa që flinin në tren teksa ktheheshin nga puna në shtëpi, e disa të tjerë që edhe strehoheshin në metro.
“Udhëtimi i përditshëm ishte disa orësh për shkak të largësisë mes shtëpisë, punës dhe universitetit. E gjithë kjo ishte shumë më shumë se çfarë isha mësuar në Prishtinë duke jetuar me familjen”, thotë ajo.
“Me kohën, këto përgjegjësi kanë pasur më pak peshë në mua dhe kam kuptuar si mund të ja lehtësoj vetes jetën duke planifikuar më mirë dhe duke dedikuar më shumë kohë për t`u kujdesur për shëndetin tim fizik dhe mendor e emocional”, vijon Loreta.
Pas 6 viteve jetesë në New York, sot Loreta jeton në Washington, ku punon si shkencëtare e hulumtimeve në departamentin e bioinxhinierise tek Universiteti i Washingtonit.
Fitmi i Green Card-ës kishte qenë një bonus për të ngaqë gjithmonë në mesin e dëshirave të saj kishte qenë edhe të studiuarit jashtë vendit.
Plotësimi i “Ëndërrës Amerikane”
Ëndrra Amerikane është besimi se kushdo, pavarësisht se ku ka lindur apo në cilën klasë të shoqërisë ka lindur, mund të arrijë versionin e tyre të suksesit në një shoqëri në të cilën të ngriturit lart është e mundur për të gjithë.
Mirëpo, sipas Loretës, koncepti i ëndrrës amerikane është shumë njëtrajtësor për të qenë i vërtetë.
Ajo thotë se Ëndrra Amerikane nuk konsideron faktorë socialë të rëndësishëm që tregojnë qartë se jo çdo kush i ka mundësitë e njëjta në këtë vend dhe kjo ka të bëjë shumë me pasurinë e akumuluar përgjatë brezave.
“Personaliteti, talenti, motivimi e gjendja shëndetësore janë disa faktorë individualë që luajnë rol në realizimin e ëndrrave. Rrethanat familjare në të cilat një person është rritur, financat, cilësia e edukimit, ekspozimi i hershëm ndaj ideve e strukturave amerikane janë disa faktorë tjerë që kanë ndikim”, thotë ajo.
Sipas të dhënave nga kompania A-Green Card, në tri vitet e fundit rreth një mijë e 100 qytetarë nga Kosova e kanë fituar Green Card-ën, gjersa vitin e kaluar 413 persona janë përzgjedhur si fitues.
Në mesin e aplikantëve është edhe Egzon Kika i cili ka një vit që kur e ka fituar Green Cardën dhe tash e tre javë jeton në SHBA.
Pas aplikimit për Green Crad për pesë vite, herën e gjashtë Kika kishte pasur fatin të përzgjidhet fitues.
“Kisha gjithmonë dëshirë të vija në SHBA dhe ishte një ndjenjë shumë e mirë edhe pse e vështirë të adaptohesh në një vend të huaj, për mua është hera e parë që vij në SHBA”, ka shpjeguar Kika për KALLXO.com.
Egzon Kika
Ai ka theksuar se kostoja e lartë e të jetuarit në Amerikë ka sfidat e veta.
“Për një shqiptar është shumë e vështirë në fillim jeta financiare në Amerikë, ka dallim të madh në çmime dhe është e vështirë deri sa të adaptohesh me jetën këtu” – ka thënë ai.
Megjithatë, Kika ka pohuar se nëse një njeri është punëtor atëherë SHBA është vend që hap shumë dyer dhe mundësi për të arritur në jetë dhe për t’i plotësuar ëndrrat.
Ngjashëm mendon edhe Nertila Roka nga Gjakova e cila pasi ka aplikuar tre herë ka arritur që herën e katërt ta fitojë Green Card-ën.
“Për njerëzit të cilët duan të shkojnë në Amerikë dhe se mendonjë ose e shohin Amerikën “Një shkop Magjik” për të plotësuar ëndrrat mund të jetë, por me shumë punë dhe sakrificë, sepse ëndrrat janë të realizueshme vetëm kur punojmë fort dhe i arrijmë qëllimet që kemi qoftë në Amerikë apo në Kosovë”, ka thënë Roka.
Megjithatë, e pyetur se çka i pëlqen nga jeta në SHBA, Roka është përgjigjur se secili njeri ndihet i lirë dhe se ky vend u ofron njerëzve opsione për një jetë dhe shkollim më të mirë.
Nertila Roka
Minutat vendimtare
Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigrimit të SHBA-së (USCIS) çdo vit marrin afërsisht gjashtë milionë aplikime për Green Card-ën.
Për 15 vite rresht Alma Brovina dhe burri i saj kishin provuar fatin që ta fitojnë lotarinë e Green Card-ës por çdo vit kishin marrë përgjgje negative, gjë që edhe i kishte dëshpëruar.
Mirëpo, kur shpresat pothuajse ishin shuar kishte qenë këmbëngulja e Almës në momentet e fundit që u kishte sjellë atyre mundësinë e shumëkërkuar.
“Për t’i bërë fotot për t`u përgatitur për lotari është dashur të shkojmë te fotografisti, ishte dita e fundit e aplikimit për lotari, edhe 15 minuta mbyllej lokali. Burri erdhi i lodhur në shtëpi, më tha “Po e lëmë edhe këtë, vit nuk po aplikojmë”” – rrëfen Alma.
“Por unë insistova shumë dhe ai insistimi im ka qenë vendimmarrës për të gjithë ne. Shumë shpejt kam zbrit shkallëve të banesës, më dukej sikur jemi duke e humbur shancën asnjë pse asnjë vit nuk patëm fitu më herët, por ma ndiente zemra që do të fitojë njëri nga ne”, tregon ajo.
Alma Brovina
Për të, emocionet e asaj dite mbeten të paharrueshme.
“Kurrë nuk do ta harroj atë ditë, e kam pasur një telefon ‘Nokia’ dhe i kam hargjuar të gjitha paratë duke iu treguar kushërinjëve, familjarëve që kemi fituar Green Card-ën dhe kam qenë shumë e emocionuar”.
Alma kishte qenë të 40-tat e saj kur burri i saj kishte fituar Green Card-ën. Për këtë ajo shpjegon se ikja nga Kosova në këtë moshë dhe ndërimi i një jete të re nuk kishte qenë dçika që paramnedohej lehtë por ky vendim dukej si çelës i shumë mundësive në jetë.
“Mua më ka rënë 40 vjeçe të vijë në Amerikë, për ne nuk ka qenë e lehtë të vijmë në këtë moshë por kemi sakrifikuar për një jetë më të mirë për fëmijët edhe për veten. Çdo ditë e falënderoj Zotin për këtë mundësi”- thotë ajo.
Më 6 maj Departamenti Amerikan i Shtetit do të publikojë listën e aplikantëve që kanë fituar Green Card-ën për vitin fiskal 2024. /Kallxo.com/