Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka deklaruar se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin, duke u mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti, të prezantuar javën e kaluar.
Abbott në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se, draft-statuti i ri duhet të jetë poashtu në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, transmeton Telegrafi.
“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Ambasadori ka njoftuar gjithashtu se gjatë kësaj jave në Kosovë do të ketë vizita të rëndësishme.
“Këtë javë do të ketë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë drejtoreshën e Britanisë për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ambasadori, duke shtuar tuje se aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ndryshe, në takimin e 2 majit në Bruksel, Ekipi Menaxhues për Asociacion ka paraqitur draft-statutin për Asociacion por që është kundërshtuar nga pala kosovare.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se ekziston dëshira për krijimin e një ‘Republike Serbe’ në Kosovë, prandaj edhe është kundërshtuar ky draft-statut.
Draft-statuti për Asociacion i cili posedon 67 nënë është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.