Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje shteteve anëtare të aleancës që të përshpejtojnë prodhimin e armëve, për të përballuar botën e rrezikshme.
“Kemi nevojë për investime dhe shtim të kapaciteteve prodhuese, edhe për një periudhë afatgjatë. Po lëvizim në drejtimin e duhur, por jo aq shpejt sa kërkon bota e rrezikshme në të cilën po jetojmë”, tha Stoltenberg gjatë një takimi me anëtarët e komitetit ushtarak të NATO-s, të zhvilluar këtë të mërkurë.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, NATO u ka kërkuar shteteve anëtare që të rrisin rezervat e municioneve, të cilat janë pakësuar ndjeshëm për shkak të ndihmave që i janë dhënë Kievit herë pas here.
Edhe pa nisur lufta, shtetet anëtare nuk i kishin përmbushur objektivat e rezervave, pasi e konsideronin këtë një politikë të së kaluarës. Por tashmë rezervat po shterojnë, teksa ushtria ukrainase raportohet të harxhojë rreth 10 mijë plumba të kalibrit të madh në ditë.
Për të përballuar harxhimet e luftës, Shtetet e Bashkuara vendosën të akordojnë një tjetër paketë ndihme ushtarake ndaj Ukrainës, me vlerë 1,2 miliardë dollarë. Sipas të dhënave fondi i akorduar përfshin sisteme mbrojtëse, municione për antiajrorët perëndimorë, predha 155 mm për artilerinë vetëlëvizëse, municione për rrëzimin e dronëve dhe pamje satelitore.
Në një deklaratë Presidenti Zelensky falënderoi SHBA për ndihmën e dhënë deri më tani për të ndaluar agresionin e Rusisë. Për vitin 2023 Departamenti i Mbrojtjes në SHBA i siguroi Ukrainës 5 miliardë dollarë ndihma, i ndarë ky në katër paketa. Në vitin 2022 SHBA dhanë një fond prej 6.3 miliardë dollarë në ndihmë të Ukrainës.