Ka shumë arsye pse liderët perëndimorë nuk e pëlqejnë Recep Tayyip Erdoganin. Gjatë sundimit njëzetvjeçar, presidenti turk burgosi gazetarë dhe liderë opozitarë, ndali me dhunë protestat dhe keqmenaxhoi ekonominë.
Në frontin e politikës së jashtme, i forti turk qëndroi në anën e Rusisë, filloi një inkursion në Siri dhe përdori veton për të bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, në një moment kritik për aleancën ushtarake, shkruan politico, citon reuters.
Por, ka një arsye përse liderëve të Bashkimit Evropian mund t’iu mungojë lideri aktual turk nëse humb nga kundërshtari, Kemal Kılıçdaroglu, kur turqit shkojnë në kutitë e votimit më 14 maj në zgjedhjet presidenciale.
Erdogan në pushtet, veçanërisht pasi është bërë gjithnjë e më autoritar vitet e fundit, i ka mundësuar Bashkimit Evropian të anashkalojnë çështjen nëse shteti turk duhet t’i bashkohet familjes evropiane.
Për shumë në BE, Erdogan ishte një figurë e dobishme
Për shumë politikanë evropianë, Erdogan ka qenë një figurë e ‘dobishme’ politike, duke i mundësuar BE-së të përjashtojë në mënyrë legjitime çdo diskutim serioz rreth anëtarësimit të Ankarasë.
Sjelljet gjithnjë më të papranueshme gjatë burgosjes së kundërshtarëve politikë dhe kundër normave të sundimit të ligjit i ka dhënë BE-së mbulesë politike për të shmangur këtë çështje. Një ndryshim i regjimit mund ta ndryshojë këtë dinamikë.
“Vitet e fundit, Turqia dhe BE-ja kanë lëvizur në drejtime të kundërta. Nën Erdoganin, Turqia është larguar nga vlerat evropiane; procesi i anëtarësimit ka ngecur plotësisht, duke rezultuar në idenë se shteti turk nuk është subjekt i besueshëm për anëtarësim”, tha Selim Kuneralp, ish-ambasador i Turqisë në Bashkimin Evropian.
Marrëdhëniet evropiano-turke kanë filluar qysh para më shumë se gjashtë dekadash. Në vitin 1959, Turqia aplikoi për t’u anëtarësuar në Komunitetin Ekonomik Evropian (BEE), paraardhëse e BE-së, gjë që dërgoi në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ankarasë në vitin 1963.
Derisa një seri grusht shtetesh dhe paqëndrueshmërisë ekonomike e politike vendosën rreth integrimit të Turqisë në BE, në vitet 1980 procesi i pranimit ishte kthyer në rrugën e duhur. Në vitin 1987, Turqia aplikoi për t’u anëtarësuar në KEE. Një dekadë më vonë, ajo mori statusin e kandidatit dhe filloi të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të vendosura nga BE.
Pikërisht në këtë kohë, në pushtet erdhi Erdogan. Më pas, si udhëheqës reformator i Partisë së re për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ai foli për pluralizmin, demokracinë dhe harmoninë, madje hapi negociatat e paqes me organizatën kurde PKK.
Ai filloi të punojë, duke futur reforma që e afruan Turqinë më pranë përmbushjes së kritereve të BE-së, si ndryshimi i ligjit për ushtrinë për ta vënë atë nën kontrollin civil.
Edhe pse këto veprime u vlerësuan nga Komisioni Evropian, ato në fakt hodhën bazat që Erdogani ta shtinte nën kontroll ushtrinë.
Një muaj i shkurtër mjalti dhe marrëdhënie të këqija mes Erdoganit dhe BE-së
Pas një muaji të shkurtër mjalti, marrëdhëniet shpejt u përkeqësuan me Brukselin. Erdoganit iu shtua doza e zemërimit shkaku i ritmit të ulët të anëtarësimit në BE; disa vende anëtare e kanë bërë të qartë se nuk janë të gatshëm të pranojnë në klubin e tyre Turqinë.
Kjo dikotomi vendosi tonin për një marrëdhënie gjithnjë e më shkatërruese. Një sërë problemesh shkaktuan përkeqësimin e marrëdhënieve – ku palët drejtojnë gishtin kah njëra-tjetra.
Vendimi i BE-së për të pranuar Qipron në vitin 2004 ishte një pikë konstante fërkimi. Turqia pushtoi pjesën veriore të ishullit në vitin 1974. Nicosia këtë situatë dëshiron ta zgjidhë përpara se të bie dakord për lidhje më të ngushta midis BE-së dhe Ankarasë.
Pastaj u shfaq efekti Nicolas Sarkozy. Në vitin 2011, presidenti francez bëri një vizitë të shkurtër pesë-orëshe në kryeqytetin turk. Duke përtypur çamçakëz, ndërsa arriti në Ankara, mesazhi i liderit francez ishte i qartë: anëtarësimi i Turqisë në BE është i papranueshëm për Francën. Zyrtarë të shumtë i thanë Politico-s se vizita ishte një pikë kthese për Erdoganin.
Nga ana tjetër, ishte kthesa autoritare e Erdoganit që “mbyti” mundësinë e anëtarësimit të Turqisë. Goditja brutale ndaj protestave në parkun Gezi të Stambollit në vitin 2013 parashikoi një përgjigje edhe më drakoniane ndaj një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Lideri turk burgosi dhjetëra mijëra njerëz dhe më pas konsolidoi pushtetin përmes një referendumi kushtetues të vitit 2017, duke i lënë pas perspektivën për anëtarësim në BE.
Në veçanti, 69-vjeçari kundërshtonte ashpër kriteret e Kopenhagës – kushte që duhet të plotësojë çdo vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, të cilat përfshijnë garanci për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave.
Në vitin 2018, vendeve evropiane “iu kishin ardhur në maje të hundës”. Në deklaratën e Këshillit Evropian të atij viti thuhej hapur: ndërpriten negociatat për anëtarësimin e Turqisë.
Pyetja e madhe pas zgjedhjeve të së dielës
Pyetja e madhe që shtrohet rreth marrëdhënieve mes BE-Turqisë është nëse kjo do të ndryshojë pasi turqit të shkojnë në zgjedhje të dielën.
Zgjedhjet, të cilat Erdogan më parë mendohej se do t’i humbiste, janë bërë një nga testet më të mëdha të karrierës së tij politike, me sondazhet që e tregojnë atë të barabartë me koalicionin gjashtë partiak të opozitës, ku kandidat i tyre është 74-vjeçari, Kemal Kılıçdaroglu.
Një ndryshim i qeverisë ndoshta do t’i jepte frymë të re partneritetit midis Turqisë dhe Perëndimit. Kılıçdaroglu tha se dëshiron të rifillojë procesin e pranimit në BE dhe do ta detyrojë shtetin turk të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një tjetër largim nga Erdogan.
Megjithatë, perspektiva e një qeverie të re në Turqi mund të mos eliminojë shumë nga shkaqet themelore të fërkimit.
“Sfidat e brendshme do të mbeten të njëjta, kushdo qoftë në pushtet. Ka një krizë të thellë ekonomike dhe qeveria aktuale po ofron të gjitha llojet e masave populiste për të zbutur krizën përpara zgjedhjeve, e cila do të ndalet pas zgjedhjeve”, tha Gallia Lindenstrauss, studiues i lartë në Institutin për studime të sigurisë kombëtare.
SHBA mbështet kundërshtarin e Erdoganit
Uashingtoni nuk e fsheh dëshirën për ndryshime në Turqi, anëtare e rëndësishme e NATO-s. Në vitin 2019, Joe Biden, në atë kohë kandidat për president, tha se SHBA-ja duhet të mbështesë liderët e opozitës turke “për t’i bërë ballë dhe për të mposhtur Erdoganin”.
“Ai duhet të paguajë një çmim për qasjen autoritare”, tha presidenti i ardhshëm amerikan në një intervistë që zemëroi qeverinë turke.
Lindenstrauss parashikon një “atmosferë më të mirë” midis Brukselit dhe Ankarasë nëse Kilıçdaroglu vjen në pushtet. Blloku i opozitës me gjashtë parti ka sinjalizuar se dëshiron të ngrohë marrëdhëniet me BE-në dhe do të fillojë të ndryshojë disa nga masat e mara nga lideri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), të cilat bien në kundërshtim me kriteret e Kopenhagës, si kthimi në një sistem parlamentar në vend të një sistemi presidencial.
Por problemet themelore – çështja e Qipros, por edhe perspektiva e një popullsie të madhe dhe relativisht të varfër që t’i bashkohet bllokut – do të nënkuptojnë se shumë pak shtete evropiane do të jenë të gatshme që t’i hapin rrugën shtetit turk drejt anëtarësimit në BE. Edhe pse pak e thonë këtë publikisht, por shumë vende janë kundër anëtarësimit të një vendi me shumicë myslimane si Turqia.
“Nuk ka asnjë mundësi që vendet anëtare të BE-së të bien dakord për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian”, tha një diplomat i lartë i Brukselit.
Lindenstrauss tha se ajo mund të parashikonte përparim në çështje si liberalizimi i vizave ose përditësimi i bashkimit doganor BE-Turqi, i cili ka qenë në fuqi që nga viti 1995, por ndoshta jo shumë përtej kësaj, “unë bashkohem me skeptikët dhe mendoj se problemet e pranimit të Turqisë ekzistonin përpara kthesës autokratike të Erdoganit”.
İlke Toygur, bashkëpunëtore e lartë në institutin CSIS, thotë për Politico se modernizimi i marrëveshjes së asocimit midis dy palëve është një mënyrë për të rigjallëruar marrëdhëniet.
“Politikabërësit e BE-së duhet të miratojnë një kuadër institucional më të përshtatshëm”, pohoi ajo. Toygur sugjeroi se të dyja palët mund të përfitojnë nga marrëveshjet e asocimit si ato që BE-ja ka me vendet e tjera që kanë filluar së fundmi procesin e pranimit.
Një marrëveshje e ndryshuar mund të mbulojë çështje të tilla si ndryshimi i klimës, migrimi dhe tregtia. Këto do t’i përmirësonin marrëdhëniet me Brukselin, duke zbutur rrugën drejt çështjes më të vështirë – pranimin në familjen e madhe evropiane.
Të tjerët ishin më skeptikë dhe sugjeruan se jo të gjithë në Evropë do të festonin doemos humbjen e Erdoganit.
“Për disa në BE, iu shkon për shtati që shteti turk të ketë një udhëheqës autoritar dhe të kenë marrëdhënie të acaruar me Turqinë, në vend që të merret seriozisht me çështjen e pranimit. Një Turqi demokratike do të thotë kokë-dhimbje për shumëkënd në Evropë pasi ringjallet procesi anëtarësimit në BE”, tha Galip Dalay, ekspert në institutin Chatham House.