CNN
Takimi i G7 në Japoni që do të mbahet në datat 19-21 maj, ka një rëndësi të veçantë dhe kjo jo vetëm për vendndodhjen e tij. Kundërshtimi i ndikimit të Kinës në rajon, tavani i borxhit të afërt të SHBA dhe lufta në Ukrainë, janë disa nga temat kyçe që do të trajtohen në këtë takim.
Udhëheqësit e demokracive më të përparuara të botës po takohen në Hiroshima, vendi i sulmit të parë bërthamor në botë, një kujtesë e përshtatshme e rreziqeve të luftës bërthamore ndërsa diskutojnë për Rusinë dhe konfliktin në Ukrainë.
Forcat e Kievit janë përforcuar ndjeshëm nga armët e furnizuara nga shumica e vendeve të mbledhura në Hiroshima, sikurse janë: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia.
Kur kryeministri japonez Fumio Kishida vizitoi Kievin në mars, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e lavdëroi atë për mbajtjen e G7 të bashkuar pas Ukrainës.
“Kryeministri Kishida deklaroi se, si Presidencë e G7, Japonia do të ruajë unitetin e G7 në vendosjen e sanksioneve të rrepta kundër Rusisë dhe ofrimin e mbështetjes për Ukrainën”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga të dy liderët, raporton CNN