Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e turit të 80-të çiklistik të Shqipërisë, që do të zhvillohet nga data 22 deri më 26 maj.
Duke qenë se aktiviteti çiklistik përfshin gjatësi dhe itinerare rrugore në pjesën më të madhe të akseve kombëtare që lidhin jugun e Shqipërisë me qendra të tjera të rëndësishme, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në rrugët që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit.
Aktiviteti çiklistik përfshin 5 etapa garash me itenerare të gjata në disa nga asket rrugore kombëtare. Në këtë aktivitet marrin pjesë 15 ekipe nga vende të ndryshme të botës dhe 150 garues.
AKSET KU PRITET TË ZHVILLOHET AKTIVITETI:
Etapa e parë nis më datë 22.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin sheshi “Nënë Tereza”, Tiranë – Elbasan – Dushk – Lushnjë. Në kthim ndiqet i njëjti itinerar, për të përfunduar në Krrabë, në orën 16:30;
Etapa e dytë nis më datë 23.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin sheshi “Nënë Tereza”, Tiranë –Elbasan – Lushnjë dhe përfundon në qendër të Elbasanit, në orën 17:00;
Etapa e tretë nis më datë 24.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin bulevardi “Aqif Pasha”, Elbasan – Lushnjë – Fier dhe përfundon në Vlorë, në orën 16:15;
Etapa e katërt starton më datë 25.05.2023, në orën 12:00, me itinerarin Lungomare, Vlorë – Fier – Mbrostar Ura, Fier – Levan – Tepelenë dhe përfundon në Përmet, në orën 18:30;
Etapa e pestë starton më datë 26.05.2023, në orën 10:00, me itinerarin qendra e Përmetit –Tepelenë – Levan dhe përfundon në Fier, në orën 13:00.