Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar Masakrën e Dubravës në 24-vjetorin e kësaj ngjarjeje.
“Afër një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë, makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë, manifestoi egërsinë ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë”, thuhet në shkrimin e publikuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës.
“Ata po mbaheshin në burg padrejtësisht si pengje të luftës, e në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare. Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës”.
Osmani tha se pos kujtimit të përhershëm për ta, i përhershëm është edhe angazhimi për t’i ndëshkuar fajtorët.
“Në këtë përvjetor, kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit”.
“Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”.