Forcat e grupit mercenar rus, Wagner ndoshta kanë filluar të tërhiqen nga disa prej pozicioneve të tyre rreth qytetit të shkatërruar ukrainas të Bakhmutit dhe ka të ngjarë të përdoren për operacione të tjera sulmuese në rajonin e Donbasit, sipas inteligjencës britanike.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e fundit të inteligjencës njoftoi se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, kishte thënë se tërheqja kishte filluar dhe pozicionet po u transferoheshin forcave të ministrisë ruse të mbrojtjes.
Kievi vërtetoi rotacionin e Wagnerit nga periferitë e qytetit, raporton theguardian.
Ministria e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se forcat e të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut ka të ngjarë të kenë hyrë në qytetin lindor të Ukrainës që nga e mërkura për të filluar “operacionet e pastrimit”.
Kujtojmë se qyteti i Bakhmutit ka qenë dëshmitar i betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të pushtimit rus në Ukrainë.
“Pavarësisht grindjes së vazhdueshme të Prigozhin me Ministrinë e Mbrojtjes Ruse [ministria e Mbrojtjes], forcat Wagner ka të ngjarë të përdoren për operacione të mëtejshme sulmuese në Donbas pas rindërtimit të forcave të tij”, përfundoi ministria.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar viktima dhe dëme të shumta materiale.