Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka deklaruar se veprimet e dhunshme ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme dhe duhet të ndalen.
“Çdo veprim i dhunshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani – nevoja e menjëhershme për të depërshkallëzuar. Faleminderit të gjitha forcave të KFOR-it në terren. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Rohde në Tëitter.
Ndërkaq, më herët edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe ai britanik Nicholas Abbott kanë dënuar sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Ai ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të dhunës. Ndërsa ka shtuar se KFOR-i është aty për të ruajtur paqen.
“SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve kundër KFOR-it, trupave që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, ka shkruar Hovenier në Tëitter.
Ndërsa, Abbot u shpreh se sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale. “Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Siç e ka bërë jashtëzakonisht të qartë Quint-i duhet të ndërmerren veprime menjëherë për të de-përshkallëzuar dhe ulur tensionet”, ka shkruar ai në Facebook.
Grupe të serbëve kanë protestuar sot në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Tensionet shpërthen pasi kryetarët e rinj që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit morën detyrën.