Partizani nuk ka gabuar në ndeshjen e fundit të këtij sezoni të rregullt të Kategorisë Superiore, duke mundur Teutën 2-0 dhe duke siguruar, për herë të 17-të në histori, kampion i Shqipërisë në futboll. Të kuqtë kryeqytetas,të drejtuar nga trajneri italian, Xhovani Kolela, erdhën në këtë ndeshje të javës së fundit, që sikundër të gjitha momentet kulmore të këtij sezoni, erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, të ndërgjegjshëm se vetëm fitorja do t’u mjaftonte për të siguruar titullin.
Dhe Partizani e ka nisur vrullshëm, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe duke e vënë papushim në shënjestër portën e gardianit të Teutës, Pano Qirko, i cili e shndërron në një betejë personale me lojtarët e të kuqve, duke u mohuar atyre gol pas goli. Por ai do të thyhet 6 minuta para fundit të pjesës së parë, kur Arinaldo Rrapaj do të gjejë rrugën e rrjetës për skuadrën vendase.
Me këtë epërsi njëgolëshe të Partizanit do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa ajo e dyta do të ketë të njëjtën tablo, me të kuqtë që kërkojnë golin e dytë, por që ndalen nga gardiani durrsak, Qirko. Sidoqoftë, Partizani do ta gjejë golin e dytë në minutën e 6-të shtesë, nga 9 të tilla, kur Cara do të fitojë duelin e shpejtësisë me portierin e dytë të Teutës, të futur në fundin e pjesës së dytë, Demo, dhe do të përshëndesë rrjetën.
Edhe pse Teuta do të ketë mundësi të shkurtojë shifrat me një 11-metërsh të dhënë në fund, por të shkuar dëm nga Kallaku, që ndalet nga Rexhepi, Partizani e fiton takimin me shifrat 2-0, duke i dhënë kështu jetë festës së të kuqve në shtëpinë e tyre të re.