Një zbulim i rëndësishëm u arrit nga shkencëtarët në Britani, pasi identifikuan rastet e para të murtajës në vend dhe datojnë 4000 vjet më parë. Në fakt, kjo është dëshmia më e vjetër e kësaj sëmundjeje në Britani deri më sot, siç thuhet në një studim që ata kanë publikuar në revistën “Nature Communications”.
Ekipi hulumtues në Institutin Francis Crick, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, Grupi i Historisë Lokale Levens dhe Muzeu Wells and Mendip, identifikuan dy raste të Yersinia pestis në mbetjet njerëzore të gjetura në një varrim masiv në Somerset dhe një tjetër në Levens , County Cumbria.
Studiuesit morën një mostër të ADN-së nga dhëmbët e 34 njerëzve nga të dy vendet, duke kontrolluar praninë e baktereve. Më pas ata analizuan ADN-në dhe identifikuan tre raste të infeksionit me bakteret, në dy fëmijë që vlerësohen të ishin 10-12 vjeç kur vdiqën dhe në një grua të moshës 35-45 vjeç.
Është gjithashtu e mundur që njerëz të tjerë në të njëjtat vende varrimi të jenë infektuar me të njëjtin lloj murtaja, pasi ADN-ja patogjene humbet shumë shpejt në mostrat që mund të jenë të paplota ose të gërryera.
Harta tregon përhapjen e bakterit Yersinia pestis. Gjenomet e reja të identifikuara nga ky hulumtim janë në ngjyrë vjollce
Murtaja është identifikuar më parë në njerëz të ndryshëm nga Euroazia dhe daton midis 5000 dhe 2500 vjet më parë, por tani verifikohet për herë të parë në Britani.
Përhapja e gjerë gjeografike sugjeron se ky lloj i murtajës mund të jetë transmetuar lehtësisht. Sipas studimit u soll në Evropën Qendrore dhe Perëndimore rreth 4800 vjet më parë nga tregtarët.