Ministrja e Sportit të Francës, Amelie Oudea-Castera, ka thënë se mesazhi që dha tenisti serb pas fitores në ndeshjen e parë ishte i papërshtatshëm dhe e paralajmëroi atë të mos përsërit veprime të njëjta me mesazhe ‘militante’ për Kosovën.
Duke folur në stacionin televiziv France 2, Oudea-Castera tha se drejtoresha e French Open, Amelie Mauresmo foli me Djokovicin dhe shoqëruesit e tij për të insistuar në parimin e “neutralitetit” në fushën e lojës.
“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkimin e njerëzve rreth vlerave universale, një sportist është i lirë ta bëjë këtë,” tha ajo. Por Oudea-Castera shtoi se mesazhi i Djokovicit ishte ‘militant’, shumë ‘politik’ dhe ‘nuk duhet të përsëritet’.
Federata e Tenisit të Kosovës paralajmëroi ankesë për Djokovicin për mesazhet e tij, pas situtatës së tensionuar në veri të Republikës së Kosovës, me përleshjet mes serbëve dhe policisë e paqeruajtësve të NATO-s.
Pas fitores së raundit të parë në Paris të hënën, Djokovic shkroi në serbisht në objektivin e një kamere televizive: “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”.
Federata e Tenisit e Kosovës tha të martën se komentet e Djokovicit ishin “të mjerueshme” sepse ai po nxiste tensionet midis Serbisë dhe Kosovës.
Djokovic, i cili ka fituar 22 tituj Grand Slam, është planifikuar të luajë në raundin e dytë të Roland Garros të mërkurën.
Duke folur para gazetarëve në serbisht, serbi tha të hënën se ai mendonte se ajo që shkroi në kamerën televizive ishte “më e pakta që mund të bëja. Ndjej përgjegjësi si personazh publik… si dhe si bir i një njeriu që ka lindur në Kosovë.”
Pa përmendur emrin e Djokovicit, organizatorët e French Open treguan në një deklaratë të lëshuar të martën se asnjë rregull nuk ishte thyer, duke thënë: “Me raste, diskutimet rreth ngjarjeve të lajmeve ndërkombëtare hyjnë në fushën e turneut, gjë që është e kuptueshme.”