Situata në veri të Kosovës mbetet ende e tensionuar, pas protestave të serbëve që kundërshtuan marrjen e detyrës nga kryetarët e rinj të komunave.
Perëndimi ka gjendur fajtor në këtë situatë qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk duhet të lejonte rritjen e konfliktit. Presidenti francez gjithashtu i doli në krah Serbisë në këtë situatë të krijuar. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po rreket të gjejë aleatë të tjerë që ta mbështesin në situatën e krijuar.
Vuçiç, sic njofton zyra e shtypit të Presidencës serbe, zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me homologun turk, gjatë së cilës i ka kërkuar Erdoganit mbështetje për “stabilizimin” e paqes në rajon.
“Presidenti Erdogan pyeti për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi dhe Presidenti Vuçiç e informoi atë për ngjarjet që çuan në përshkallëzimin e dhunës kundër serbëve. Ai gjithashtu i kërkoi kreut të shtetit turk të përdorë reputacionin dhe ndikimin e Turqisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”- tha shërbimi për shtyp i presidentit serb, duke shtuar ndër të tjera se: “Vuçiç e ftoi presidentin Erdogan të vizitojë Serbinë.”
Sipas palës serbe, Vuçiç i uroi Erdoganit fitoren në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Turqi, duke i dëshiruar që ta udhëheqë vendin me sukses në rrugën e zhvillimit dhe gjatë këtij mandati.
Me këtë rast, presidenti Vuçiç theksoi se “Turqia është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në arenën politike ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Më shumë sesa një tentativë për të stabilizuar paqen në rajon, kjo lëvizje tregon se Vuçiç po përpiqet për të izoluar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Dhe pas Perëndimit, me Rusinë të cilën e ka gjithmonë pas vetes, Turqia mbetet sfida më e madhe për Beogradin.