Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka dënuar sulmet e dhunshme dhe të paprovokuara në veri të Kosovës, ndaj Forcave të KFOR, ndërsa thekson se dialogu është e vetmja zgjidhje për ecjen para të Beogradit dhe Prishtinës.
Tensionimet në veri ishin në fokus të takimit të NATO-s në Oslo, por edhe situata në Ukrainë dhe forcimi i mbrojtjes transatlantike.
Xhaçka tha se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojë Aleancën dhe sigurinë e Europës në tërësi.
“Në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s të mbajtur në Oslo, diskutuam për Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Vilnius, mbi mënyrat për të forcuar mbrojtjen tonë transatlantike dhe mbështetjen e Aleancës për Ukrainën.
Të bindur se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forcojë Aleancën dhe sigurinë e Europës në tërësi. Mirënjohje për kontributin e NATO-s në ruajtjen e sigurisë në rajonin tonë.
Rikonfirmova mbështetjen tonë të plotë për trupat e KFOR dhe dënimin e sulmeve të dhunshme të paprovokuara në veri të Kosovës.
Dialogu i lehtësuar nga BE është mënyra e vetme për të ecur përpara”, shkruan Xhaçka.