BBC
Të paktën 30 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi trenat u përplasën në shtetin lindor të Indisë, Odisha, thonë zyrtarët lokalë, njofton BBC.
Gati 50 ambulanca u dërguan në vendngjarje në rrethin Balasore, tha kryesekretari i shtetit.
Pradeep Jena shtoi se në aksident ishin përfshirë dy trena pasagjerësh dhe një tren mallrash.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i shqetësuar nga incidenti i së premtes në mbrëmje dhe mendimet e tij ishin me familjet e viktimave.
“Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në vendin e fatkeqësisë dhe e gjithë ndihma e mundshme po u jepet të prekurve,” shkroi ai në Twitter.
Ministri i Brendshëm Amit Shah e cilësoi incidentin “thellësisht shqetësues”.
Një nga trenat e përfshirë në përplasje ishte Shalimar-Chennai Coromandel Express, thanë zyrtarët.
Të paktën 30 njerëz kishin vdekur, tha zyrtari i lartë i shërbimit zjarrfikës Sudhanshu Sarangi për transmetuesin lokal NDTV.
Ai tha se numri “mund të rritet…për momentin nuk ka asnjë qartësi për këtë”.
Disa pasagjerë të mbijetuar u panë duke nxituar për të ndihmuar në shpëtimin e të bllokuarve në vagonët e përmbysur.
Shkaku i incidentit nuk është bërë menjëherë i qartë.