Ka shumë gjëra që mund të blini për 34 milionë dollarë. Në pjesë të ndryshme të botës, ju mund të blini kështjella përrallore, super vila buzë plazhit ose prona madhështore me kilometra. Mund të blini shumë vetura sportive të tilla si, Lamborghini ose Rolls-Royce Phantoms. Mund të bëni për vete edhe aeroplan privat.
Por, në Dubai, ju mund të blini një grumbull rërë, raporton cnn.
Në rregull, jo vetëm një grumbull rëre. Rëra në fjalë është një parcelë e zbrazët në ishullin luksoz Jumeirah Bay, i cili kohët e fundit u shit për më shumë se 34 milionë dollarë – çmim mahnitës për pjesët e tjera të botës, ku çmimet e pasurive të paluajtshme mund të arrijnë aq lartë sa “arkitektura qiellore”.
Prona e pazhvilluar prej 24,500 metrash/katrorë u shit nga Umar Kamani, sipërmarrës britanik dhe bashkëthemelues i dyqanit të shitjes me pakicë të veshjeve, “PrettyLittleThing”. Shitja – për 125 milionë dirhemë (AED) – shënon një fitim të jashtëzakonshëm prej 242 për qind mbi çmimin fillestar të blerjes prej 36.5 milionë AED, ose pak më pak se 10 milionë dollarë, në vitin 2021.
Identiteti i blerësit nuk dihet, transmeton Telegrafi.
Parcela është një nga 128 që fillimisht u vunë në dispozicion në ishullin artificial, i cili lidhet me kontinentin nëpërmjet një ure prej rreth 305 metrash. Çmimi në rritje është një reflektim jo vetëm i qëndrueshmërisë së disa prej pasurive të paluajtshme të Dubait ndaj tendencave rënëse në ekonomitë globale, por gjithashtu, thonë ndërmjetësuesit, të asaj për të cilën mega të pasurit duan të shpenzojnë dollarët e tyre.
“Jumeirah Bay është pjesa më ekskluzive e ekskluziviteteve”, thotë Andrew Cummings nga Knight Frank Dubai, agjencia e pasurive të paluajtshme që u morë me shitjen. “Është për individët që kanë vetëm një pyetje ‘Cila është më e shtrenjta?’. Ajo përfaqëson më të mirën në këtë pjesë të Dubait”, shtoi ai.
Formën e ka si një ‘kali i detit’
Ishulli 6.3 milionë metra/katrorë ka formën e një kali të detit dhe përmban një hotel me pesë yje të ndërtuar në bashkëpunim me markën luksoze italiane, Bulgari, i cili u hap në vitin 2017 dhe u kurorëzua menjëherë si hoteli i ri më i miri në botë.
Jumeirah Bay Island është gjithashtu shtëpia e shumë plazheve me rërë dhe një marine për dhjetëra jahte, restorante të nivelit të lartë, një palestër dhe një qendër spa. Një numër i kufizuar apartamentesh luksoze gjenden edhe në kompleksin hotelier Bulgari.
Në vitin 2022, dy parcela të ngjashme në ishull u shitën së bashku për 180 milionë AED, ose pak më shumë se 49 milionë dollarë, duke sinjalizuar se vlera e tokës është në rritje.
“Toka është vlerësuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm për shkak të vendndodhjes, shumë afër Bulgarit, por edhe për arsye të Four Seasons, si dhe qendrës së Dubait dhe zingjirëve të biznesit”, thotë Cummings.
“Por, është edhe për shkak të privatësisë dhe ekskluzivitetit që sjell ky një ishull, i cili ka vetëm 100 apo më shumë parcela, në krahasim me mijëra prona që ka Palm Jumeirah”, deklaroi ai.
Mirë se vini në Los Angeles
Në fakt, Palm Jumeirah ndoshta njihet më shumë shkaku i ishujve artificialë të Dubait. Me formë sikurse pema e palme, gjithashtu është ishulli më i madh artificial në botë, me rreth 3.5 kilometra/katrorë.
Ishulli Jumeirah Bay, nga ana tjetër, është shumë më i vogël me vetëm prej rreth 355 metra/katrorë dhe konsiderohet më ekskluzivi.
“Lloji i pronave që po ndërtohet tani nuk është si çdo gjë që keni parë në Dubai. Jumeirah Bay do të duket shumë më tepër si Beverly Hills ose Los Angeles i SHBA-së”, shpjegon ai.
Tregu i pasurive të paluajtshme në Dubai ka qenë në rritje kohët e fundit, me 93 shitje të pronave me vlerë prej 10 milionë dollarësh ose më shumë në vitin 2021, e cila gjë ishte më tepër se shtatë vite më parë, sipas Cummings. Në vitin 2022, ky numër u rrit për 221 shitje. Ky vit ka parë tashmë 88 brenda tremujorit të parë.
Pandemia luajti një rol të rëndësishëm në këtë ngritje. “Gjatë dy vjetëve të fundit, njerëzit kanë dashur të zhvendosen në vende më të bollshme, kanë dashur të jetojnë në plazh”, thotë Cummings.
“Nëse shikoni New Yorkun, njerëzit u shpërngulën në fshat, e njëjta gjë në Londër dhe qytete të tjera të mëdha. Në Dubai, ne e pamë atë, por edhe një fluks të madh investitorësh ndërkombëtarë, të cilët u tërhoqën nga trajtimi i jashtëzakonshëm i coronavirusit, shkalla e lartë e vaksinimit, siguria dhe mbrojtja – por edhe me të vërtetë stili i jetesës”, pohoi ai.
Çfarë merrni për 34 milionë dollarë?
128 parcelat origjinale në ishull janë reduktuar nën 100 sosh, për shkak të disa investuesve që blejnë më shumë se një për të ndërtuar vila më të mëdha. Shumica janë ende bosh, dhe Cummings vlerëson se vetëm një në dhjetë aktualisht është i banueshëm.
Megjithatë, ai parashikon se kjo shitje do të rrisë më tej vlerën e parcelave – si dhe atë të pallateve që përfundimisht mund të dalin në treg pasi të ndërtohen.
“Ne kemi një në ndërtim që pritet ta sjellim në treg në fund të vitit, i cili do të kërkojë ndoshta mbi 100 milionë dollarë”, thotë ai.
Listimet aktuale tregojnë një parcelë boshe për shitje në ishullin Jumeirah Bay për 90 milionë AED, ose rreth 24.5 milionë dollarë. Një apartament me tre dhoma gjumi me katër banjo në kompleksin Bulgari, mund ta blini për 60 milionë AED, ose rreth 16.3 milionë dollarë.
Sa i përket Kamanit, ai ka të ngjarë të mos jetë penduar për humbjen e ngastrës së tokës – sepse ai zotëron një të njëjtë pikërisht pranë saj. Kush e di nëse ai do ta shesë edhe atë – me një çmim edhe më të lartë.
“Ai ka vendosur standardin”, thotë Cummings, “kështu që tani ai mund të vendosë edhe një tjetër rekord”.