Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili kryeson edhe presidencën e OSBE-së, ka paraqitur 9 hapat e kësaj organizate për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e serbëve në proceset demokratike brenda institucioneve të Kosovës.
Duke nisur me hapin e pare, OSBE kërkon nga Kosova dhe Serbia të riafirmojnë përkushtimin e tyre për marrëveshjen e Ohrit dhe për aneksin e zbatimit.
Hapi i dytë është largimi i policisë speciale të Kosovës nga komunat në veri të vendit dhe reduktimi i forcave serbe në kufi me Kosovën.
Ndërkaq, hapi i tretë sipas OSBE-së është që policia e rregullt, e asistuar nga KFOR-i dhe EULEX-i të marrë në dorë sigurinë në terren.
Hapi i katërt propozohet të jetë anulimi i protestave, rikthimi i funksioneve dhe shërbimeve komunale si dhe rivendosja e jetës normale dhe lejimi i hyrjes së punonjësve komunalë.
Në hapat e pestë, gjashtë dhe të shtatë, OSBE kërkon që kryetarët e rinj të japin dorëheqjen në verën e këtij viti për t’i krijuar hapësirë zgjedhjeve të parakohshme, e të cilat duhet të mbahen gjatë këtij viti me përkrahjen e OSBE-së, duke rritur besimin në radhët e komuniteteve.
Sa i përket hapit të tetë OSBE ka premtuar se do të përfshijë rininë në programe dhe procese të pajtimit, ndërsa sa i përket hapit të fundit ky institucion ka thënë se do të përkrahë zbatimin në mirëbesim të dispozitave të pajtimit dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.