Tiranë- Ligji i ri për strehimin social ka marrë miratimin në komisionet parlamentare.
Në ndryshimet e propozuara Kuvendit, ndër më të rëndësishmit është përfshirja e punonjësve të administratës publike në strehimin e përballueshëm.
Rreth 130 mijë punonjës të administratës kanë mundësi të aplikojnë në programet sociale në bashkitë respektive.
Gjithashtu punonjësit publikë do të kenë mundësinë të marrin edhe kredi me normë fikse 3%, ndërsa pjesa tjetër e interesit do të subvencionohet nga buxheti i shtetit.
Çdo institucion shtetëror do të shqyrtojë kërkesat e kredive për strehim të punonjësve të tyre, ndërsa kuotat e kredive të reja do të miratohen çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare në rastet kur punonjësi i administratës jep dorëheqjen pa kaluar pesë vite pas miratimit të kredisë ose shkarkohet me shkelje.
Ndërkohë me kredi me 0% interes do të trajtohen familjet e policëve të rënë në detyrë.
Gjithashtu në ligjin e ri, termi, çift i ri është zëvendësuar me familje e re. Por, anëtari i familjes së re, që do bëjë kërkesë të hyjë në programin e strehimit nuk mund të jetë mbi 38 vjeç.
Ndryshime ka edhe për termin të ardhura familjare, ku sipas ligjit do të përfshihen ato që sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhura nga persona të tretë, qiratë nga prona të paluajtshme.
Për kërkesat e strehimit social në çdo bashki tashmë aplikimet do të kalojnë në e-albania, ku digjitalizimi është një tjetër pikë kryesore e ligjit të ri.
Ndërkohë, ligji mban në fuqi taksën 3% për ndërtuesit që marrin leje ndërtimi mbi 2000 metra katrorë.
Nëse nuk mund të jepen si sipërfaqe fizike, ligji parashikon kompensimin në vlerë, që depozitohet në fondin social të strehimit. Bashkitë në hartimin e programeve të strehimit jo më pak se 5% do duhet t’i plotësojnë me familje të minoriteteve rome dhe egjiptiane.
Ligji tashmë pritet të kalojë në parlament, ndërsa priten edhe disa VKM që do përcaktojnë kriteret e përfitueshmërisë për punonjësit e administratës publike.