Dërgimi i Mediut në SPAK erdhi pasi Gjykata e Lartë depozitoi më 28 tetor të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes.
Gjithashtu, rruga e hetimeve ndaj ish-ministrit u rihap pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, bëri të ditur se e Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit edhe pse afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.
Imuniteti parlamentar do të ishte shkaku që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në vitin 2009 të vendoste pushimin e çështjes penale ndaj Mediut.
Por tashmë çështja i ka kaluar Gjykatës së Posçame Antikorrupsion, ku do të gjykojë ish-ministrin për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Tragjedia e Gërdecit
Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të vitit 2008, gjatë demontimit të armëve dhe çmontimit të municioneve luftarake të shoqërisë “Albademil” sh.p.k.
Nga shpërthimi mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë burra, gra e fëmijë, ndërsa u plagosën qindra të tjerë. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan edhe qindra shtëpi.