Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.
Ai ka lënë pas fëmijët e tij dhe partneren 33-vjeçare, Marta Fascina.
Kush është Marta Fascina?
Marta Fascina është një politikane italiane nga Forza Italia.
Ajo u diplomua për Letërsi dhe Filozofi në Universitetin Sapienza të Romës dhe filloi të punojë për klubin e futbollit AC Milan si zyrtare për shtyp.
33-vjeçarja filloi karrierën e saj politike duke shkruar një seri artikujsh për një gazetë që mbështet Forza Italia, partia e nisur nga Berlusconi në 1994.
Ajo ka qenë anëtare e Dhomës së Deputetëve që nga zgjedhjet e përgjithshme italiane të vitit 2018.
Kur u martuan Silvio Berlusconi dhe Marta Fascina?
Silvio dhe Marta u bashkuan në vitin 2020 pasi Berlusconi ndërpreu marrëdhënien e tij me të dashurën, Francesca Pascale.
Në mars 2022, ata organizuan edhe një ceremoni, por pa lidhur kurorë me njëri-tjetrin.
Megjithatë, Vittorio Sgarbi, deputeti dhe kritiku i artit tha për The Times atë kohë: “Megjithëse nuk kishte prift apo zyrtar publik, ishte si një martesë e vërtetë”.
“Berlusconi ishte plot lumturi pasi i tha Martas se ajo ishte një dhuratë nga qielli”.
A kanë fëmijë Silvio Berlusconi dhe Marta Fascina?
Dyshja nuk kishin fëmijë së bashku.
Silvio ka dy djem dhe tre vajza nga martesat e mëparshme.
Sa është vlera neto e Silvio Berlusconit?
Politikani i ndjerë thuhet se ka një vlerë marramendëse prej 5 miliardë funtesh.
Në vitin 2017, revista Forbes e renditi atë si njeriun e 199-të më të pasur në botë.
Ai e bëri pjesën më të madhe të pasurisë së tij përmes perandorisë së tij të madhe mediatike.
I ndjeri më pas vazhdoi të bëhej një nga njerëzit më të pasur të Italisë, duke shtuar edhe më shumë përmes kanaleve të tij televizive.
Ai fitoi njohjen si pronar i klubit të futbollit AC Milan përpara se të futej në politikë. /Telegrafi/