Me rastin e 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti kanë organizuar pritjen shtetërore për trupin diplomatik të akredituar në Kosovë.
Në fjalën e tij kryeministri Albin Kurti deklaroi se 12 qershori është datë e rëndësishme që erdhi pas një përpjekje e lufte për çlirimin e vendit. Kurti tha se shpërbërja e Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe solli edhe fundin e pushtimit të Serbisë.
“U udhëhoq kjo lëvizje nga intelektualë, shkrimtarë e disidentë e ish të burgosur politik që u bën përfaqësues të luftës çlirimtare”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se çlirimi erdhi pas shumë dhimbjeve, humbjeve e vuajtjeve të Kosovës, pas sakrificës së familjes Jashari e luftës së UCK-së e masakrave, që u ndalua nga aleanca më e madhe ushtarake e botës demokratike dhe njerëzimit, NATO.
Kurti vuri në dukje se luftërat në ish-Jugosllavi, të drejtuar nga Serbia e Slobodan Millosheviçit dhe e rrethit të tij të errët, shkaktuan gjenocide dhe krime kundër njerëzimit më të llahtarshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri Kurti falënderoi NATO dhe vendet e anëtare të saj për sic u shpreh “që na u bashkuat në përpjekjen tonë të gjatë për liri”.
“Ju faleminderit që iu bashkëngjitët rrugëtimit tonë për liri, asaj rruge të skuqur nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve dhe artikuluar me UÇK-në, lufta e drejtë e së cilës nuk mund të njollosët dhe as të shpërfytyrohet sepse ajo e ka vetëm një fytyrë, e kjo është fytyra e lirisë”, ka deklaruar më tej Albin Kurti.