Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin pa kushte te tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe.
Kërkesa erdhi nga Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller i cili gjatë një konference për shtyp, kërkoi nga Kosova dhe Serbia të marrin masa për të shtensionuar situatën.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi“, tha ai sipas Zërit të Amerikës.
Miller sugjeroi gjithashtu që “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .
“Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, shtoi Miller.
Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.”
Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it “janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje“.
“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”.
Më herër, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka bërë të ditur se do t’i ftojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e ardhshme në Bruksel, në një takim për menaxhimin e situatës së krijuar në veri të Kosovës.
Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare. Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.
Serbia po vazhdon t’i mbajë tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer.