Nismën e qeverisë për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, deputeti Flamur Noka e ka konsideruar si shpërblim që kryeministri Edi Rama i bën bandave kriminale përmes të cilave sipas tij vodhi zgjedhjet e 14 majit.
“Vendimi i Edi Ramës për të legalizuar kanabisin nuk duhet pritur si befasi. Është një projekt politik i nisur që në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet. Vendimi, që vjen menjëherë pas zgjedhjeve, fakton atë që Partia Demokratike e thotë çdo ditë me zë të lartë: nuk ka pasur zgjedhje, por farsë. Këtë farsë e ka mundësuar pushteti në bashkëpunim të ngushtë me bandat e drogës. Legalizimi është taksa që Rama u paguan bandave për zgjedhjet e vjedhura.
Ky është hapi i radhës në çimentimin e lidhjes së shtetit me krimin, shtetëzimi i aseteve kriminale dhe kriminalizimi i politikave shtetërore. Partia Demokratike e dënon me ashpërsi këtë hap të radhës drejt çmendurisë dhe rrënimit të shtetit dhe të së ardhmes”, tha Noka.
Për deputetin legalizimi i kanabisit “është legjitimimi i baronëve të drogës”.
“Legalizimi i kanabisit nuk është asgjë më shumë se legalizimi i një sektori kriminal në të cilin qeveria ka qenë e angazhuar që në fillim. Baronët e drogës tani do të legjitimohen dhe, nga industria e kanabisit do të kalojnë në faramaceutikë, e më pas në politikë. Në fund, një thirrje për deputetët e partisë në pushtet: duhet të vendosni si do mbeteni në histori, si socialistë apo kanabistë! Mbështetja e Ramës në këtë marrëzi nuk është politikë për mbajtjen e pushtetit, por dorëzim i fëmijëve tuaj dhe të shqiptarëve pushtetit të substancave narkotike dhe kriminalizim i ekonomisë shtetërore”, tha Noka.
Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu tha se janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve sipas disa kritereve të caktuara.