Sot bëhen 30 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të Kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.
Fazliu dhe Zhitia ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës.
Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Ai aktivitetin e tij në çlirim të atdheut do ta vazhdojë gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.
Afrim Zhitia u lind në vitin 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 arrestohet bashkë më shokë dhe dënohet me katër vjet burg.
Kështu më 2 nëntor të dy, Afrimi dhe Fahriu, u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku bie heroikisht të dy atdhetarët.
Edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka kujtuar.
“Sot u bënë 30 vjet nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, dy veprimtarëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike”, shkruan ai.
Thaçi shton se “Më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav. Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës”.
Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar se “Viti 1989 ishte vit i demonstratave të dendura e të fuqishme”.
“Më 1 nëntor, Afrim Zhitia, asokohe sekretar organizativ i Lëvizjes, ilegal që prej dy muajsh, mban fjalim para demonstruesve. Të nesërmen, bashkë me veprimtarin e dalluar, Fahri Fazliun, vriten nga policia e Serbisë në Bregun e Diellit në Prishtinë. Me dhimbje e krenari i kujtojmë sot, me 2 nëntor, në 30 vjetorin e rënies së tyre. Me Afrimin e Fahriun, udhëheqja e Lëvizjes atëbotë nis e bëhet nga brenda, jo më prej jashtë vendit. Organizata rritet e aktivitetet shpeshtohen. Bëhet thirrje për sabotimin e mallrave të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi (që asokohe mbanin anën e Beogradit), si dhe minohen lartpërçuesit elektrik drejt Serbisë. Veprojnë njësitet e para guerile: dëshmorët Ali Ajeti dhe Hasan Ramadani të Çetës së Llapit armët i patën marrë nga Afrim Zhitia”, ka shkruar Kurti.
Kurti thotë se “Afrimi dhe Fahriu aq shumë i ngjajnë Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës për nga vendosmëria patriotike, trajektorja jetësore dhe rënia heroike”.
“Gjersa vazhdon okupimi, edhe rezistenca vazhdon, me të tjerë veprimtarë të paepur, që duket se përsëriten, sepse populli është i njëjti”, përfundon ai.