Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vendi i tij është i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka çështje të hapura me askënd në rajon dhe pa synimin për të ndërhyrë në marrëdhëniet e askujt.
Ai i ka ofruar mundësinë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mbahet në Mal të Zi, raporton RTCG.
Ai ka thënë se i ka bërë apel Kurtit që të mos hyjë në konflikt më të thellë me ndërkombëtarët dhe të përpiqet ta zgjidhë këtë çështje me dialog.
“Ai më tha se ata tashmë kanë kontakte me Brukselin dhe se do të ketë bisedime. Përshtypja ime është se ekziston një vullnet për të kapërcyer problemet,” tha Abazoviq, duke shtuar se fokusi nuk duhet të devijohet nga e ardhmja evropiane e të gjithë rajonit.