José Mourinho heq dorë nga të qenit anëtar i Bordit të Futbollit të UEFA-s, organi i krijuar së fundmi për të diskutuar disa nga çështjet më të rëndësishme në futbollin evropian me 19 trajnerë të tjerë ndërkombëtarë. Vendimi i tij iu komunikua me email Zvonimir Boban i cili drejton Bordin e Futbollit.
“I dashur Boban, duke ju falënderuar që më keni ftuar të jem anëtar i Bordit të Futbollit, më vjen keq t’ju informoj se do të heq dorë nga pjesëmarrja ime në këtë grup me efekt të menjëhershëm”, ka shpjeguar ai në email.
“Kushtet në të cilat besoja shumë kur u anëtarësova nuk ekzistojnë më dhe u ndjeva i detyruar ta merrja këtë vendim. Ju kërkoj që vendimin tim t’ia komunikoni edhe presidentit Ceferin”.
Vendimi i Mourinho-s vjen vetëm 24 orë pas skualifikimit për atë që ndodhi pas finales së Europa League kundër Sevillas në Budapest. Trajneri portugez u skualifikua për 4 ndeshje për “gjuhë ofenduese” ndaj arbitrit anglez Taylor.
Roma u gjobit me 55 mijë euro dhe do të duhet të dëmshpërblejë edhe Federatën Hungareze të Futbollit për dëmin e shkaktuar nga tifozët. Më tej, në ndeshjen e radhës evropiane si udhëtues, tifozët nuk do të mund ta ndjekin skuadrën.