Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër rolin e ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi. Lajmi është bërë ditën e enjte nga Ambasadori i Turqisë në Prishtinë , Tunc Angili, i cili është shprehur se vetë Erdogan ia ka përcjellë këtë dëshirë Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Presidenti turk ka zhvilluar biseda telefonike me të dy liderët, ku ka vënë theksin te de-përshkallëzimi i situatës përmes dialogut.
“Që në fillim Turqia kërkoi që situata të de-përshkallëzohet përmes dialogut dhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, presidenti Erdogan pati biseda telefonike me Kurtin dhe Vuçiqin dhe shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje, nëse palët kërkojnë ndërmjetësimin e Turqisë”, tha ambasadori turk.