Në konferencën e përbashkët për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell shprehën edhe njëherë rëndësinë e shtensionimit të situatës në veri të Kosovës dhe domosdoshmërinë e rinisjes së dialogut Prishtinë-Beograd.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se ka ardhur koha për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ai theksoi se Shqipëria është e angazhuar që të punojë me BE në mënyrë që situata në Kosovë mos të ndikojë negativisht tek rajoni.
“Ka ardhur koha për çtensionimin e situatës, e kemi përmendur disa herë këtë, por është bërë gjithmonë e më urgjente. Shqipëria është e angazhuar që të punoj me ju për të mos lejuar që kjo situatë të prekë rajonin në mënyrë negative. Ka ende shumë gjëra për të bërë. Nuk mund të lëmë që gjithçka të shembet sikur të ishte një kështjellë prej rëre”, tha ai.
Më tej Rama ka shprehur idenë që të organizohet një konferencë me të dy liderët, atë të Kosovës dhe Serbisë me ekipet e BE-së dhe SHBA-së dhe “mos të lejohet që ata të dalin pa arritur një marrëveshje”.
“Shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marr vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”, ka thënë Rama.