Cristiano Rolando ishte i pari ndër yjet e futbollit botëror që çeli derën e tregut arab të transferimeve edhe për kolegë të tij, që deri në përfundim të këtij sezoni luanin në klube si Chelsea, Real Madrid, Wolves, apo Inter.
Benzema i dyti pas tij, e më pas me radhë Koulibaly, Kante, Mendy, Ruben Neves dhe më i freskëti Marcelo Brozoviç zgjodhën të veshin ngjyrat e katër klubeve të pasura me pronar fondin PIF.
Teksa liga arabe premton spektakël për sezonin e ri, kurioziteti mbetet i lartë për mënyrën sesi po i shpenzojnë futbollistët e joshur prej tyre, milionat e sheikëve.
Deri më tani dihet se Kante ka blerë një klub futbolli, Koulibaly është ndalur në Senegal për të ndërtuar një klinikë pediatrike, ndërsa Benzema ka investuar në kriptomonedha dhe tregun e pasurive të paluajtshme.
Kante – President i klubit belg Royal Excelsior Virton në moshën 32 vjeçare
Pak më shumë se një javë më parë, Al-Ittihad njoftoi nënshkrimin me N’Golo Kante nga Chelsea. Kontratë shumë e pasur, katër vjet në total për 100 milionë euro. E pamundur të thuash jo, sidomos nëse në letërnjoftim shkruhet 32 vjeç dhe nëse minutat e luajtura në sezonin e fundit ishin më pak se 700. Dhe francezi – kampion bote në 2018 – tashmë ka filluar të investojë këto të ardhura
Të gjithë do pyesin si? Duke blerë Royal Excelsior Virton, një klub belg që sapo ka rënë në kategorinë e tretë të futbollit atje. Synimi i mesfushorit është të vazhdojë punën e mirë të pronarit të mëparshëm, Flavio Becca, duke ruajtur stafin dhe duke punuar me kujdes me akademinë. Synimi është që të konsolidohet si një pikë referimi lokale për t’u bërë një forcë lëvizëse në futboll në Gaume (qyteti ku luan skuadra) dhe në Luksemburgun fqinj. Pasi fitoi dy Premier League, një Kupë Anglie, një Europa League, një Champions League, një Botëror për Klube dhe një Botëror me Francën ka ardhur koha që Kante të bëhet president.
Koulibaly – Investim në një klinikë pediatrike në Senegal
Në Arabinë Saudite do të luajë edhe Kalidou Koulibaly, i cili sapo ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2016 me Al Hilalin për 30 milionë euro neto në vit. Përsëri, si mund të thuash jo pas një sezoni të trazuar me Chelsean përsa i përket performancës personale dhe rezultateve të ekipit?! Natyrisht, nuk munguan kërkuesit europiane për mesfushorin senegalez të qendrës, i cili tashmë ka ide të qarta se si të investohet kjo pasuri e sheikëve.
“Unë do të mbështes aktivitetet sociale të shoqatës sime në Senegal”, shpjegoi ai.
“Filluam me ndërtimin e një klinikë pediatrie në fshatin ku kanë lindur dhe janë martuar prindërit e mi. Unë dhe vëllezërit e mi përmbushëm një ëndërr, shkuam në Dakar dhe u nisëm, duke hedhur gurin e parë. Do të ndihmojë të paktën 15 fshatra, shumë njerëz që për momentin duhet të udhëtojnë 50 minuta nëse kanë nevojë për një spital”, shtoi futbollisti.
Benzema – Investitor në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kriptomonedhave
Pas triumfeve dhe golave me Real Madridin, Karim Benzema nënshkroi me Al-Ittihad për dy vite, për një total prej 200 milionë eurosh. Prandaj nuk do t’i mungojnë paratë për të vazhduar investimin në kompaninë Holding të cilën e zotëron së bashku me prindërit dhe e cila kryesisht merret me çështje të pasurive të paluajtshme dhe financiare. E menaxhuar, kryesisht nga tre kontabilistë nga Lioni, kompania i ka ngjitur atij pseudonimin “patriot tatimor”, pasi i gjithë biznesi administrohet në Francë pa boshllëqe tatimore.
Ronaldo – Investitor në hoteleri dhe klinika për mbjelljen e flokëve
Sipërmarrësi Ronaldo sigurisht që nuk është një sekret. Gjithçka dihet tashmë për punët e tij, njëjtë si bëmat e tij në fushë. Kush e di nëse portugezi do të ndërtojë një hotel tjetër. Në mars 2022 ai inauguroi më të fundit, që është Hoteli Pestana Cr7 Lifestyle në Marrakech (Marok), struktura e pestë që bashkohet me të tjerat e inauguruara në vende magjike. Pestana Marrakech ka 174 dhoma, me 5 çmime të ndryshme që variojnë nga 190 deri në 447 euro për natë. Në vitin 2018 Ronaldo themeloi së bashku me mikun dhe menaxherin e tij Paulo Ramos, Insparya, një grup klinikash mjekësore, shkencore dhe teknologjike që zotëron rreth dhjetë klinika të specializuara në trajtimin e alopecisë. Bashkëshortja e tij Georgina Rodriguez, e cila ka gati 40 milionë ndjekës në Instagram menaxhon zyrën e Madridit, është ndër liderët e këtij biznesi.